
Uzuni: Në SHBA thyej rekorde, dua të bëj histori dhe gola
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ka marrë fanellën me numrin 10 dhe është gati për aventurën amerikane. Klubi i “MLS” pagoi 12 milionë euro për kartonin e 29- vjeçarit, një shifër rekord për ta. Ditën e djeshme, Uzuni është prezantuar përpara mediave, ku iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Myrto pasi luajti në kampionatin shqiptar me ekipe si Tomori, Apolonia dhe Laçi, u transferua në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit. Prej aty sulmuesi firmosi për Ferencvaroshin në Hungari, ndërsa aventura e fundit ishte te Granada në Spanjë, ku la gjurmë si golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e klubit.
Pas tri vitesh, beratasi do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, teksa ka nënshkruar një kontratë deri në fund të vitit 2027, me opsionin e rinovimit për një vit tjetër.
Cilat janë synimet tuaja në aventurën tek Ostin?
Normalisht unë jam ambicioz dhe dua të shënoj gjithmonë gola. Objektivi është i qartë edhe tek Ostin, të realizoj sa më shumë gola. Të jem i sinqertë, përpara se të firmosja folëm me drejtuesit dhe kuptova që kemi tifozë shumë të mirë, është një nga ekipet ku i shiten të gjitha biletat në çdo ndeshje dhe ashtu siç thash më parë unë do të jap maksimumin, pasi këta njerëz vijnë të mbështesin skuadrën e Ostin, kështu që puna ime është të bëj të lumtur tifozët duke shënuar gola sigurisht.
Në këtë moment të karrierës tuaj, çfarë do të thotë kjo lëvizje në një anë tjetër të botës, në një ligë të re?
Unë kam luajtur në “Champions League”, Europa League, La Liga, ndeshje me Kombëtaren. Dua të provoj veten edhe këtu, kampionati amerikan është duke u ngritur si nivel çdo vit dhe unë dua që të shkruaj emrin tim në këtë ligë. Arsyeja pse zgjodha të vij në Shtetet e Bashkuara lidhet me projektin ambicioz të klubit. Kjo përputhet me ambiciet e mia dhe me mentalitetin për të fituar gjithmonë. U premtoj tifozëve të Ostin se do të jap maksimumin për të shënuar sa më shumë gola dhe për të ndihmuar ekipin të arrijë objektivat e saj. Kam ardhur këtu për të thyer rekorde dhe për të shkruar histori, jo për të sjellë familjen dhe për tu relaksuar.
Sa e njeh këtë kampionat dhe si të duket në krahasim me Spanjën?
Po, është një ligë që ka shpejtësi. Unë kam një mik që luan këtu në SHBA, është Xhakomo Vrioni të cilin e kam pyetur për kampionatin në përgjithësi. Kam shumë informacione dhe mendoj se do të më shërbejnë që të bëj mirë këtu.