
Valbon Limani emëron për herë të parë grua në krye të një ndërmarrje publike në Gostivar
Në ambientet e kabinetit të Kryetarit të Komunës së Gostivarit, sot u zhvillua ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec”, shkruan Flaka Media.
Kryetari i Komunës, Valbon Limani, falënderoi ish-drejtorin Zeadin Nuredini për angazhimin dhe punën njëvjeçare në krye të ndërmarrjes, ndërsa uroi Artana Asanin për marrjen e detyrës së re si ushtruese detyre – drejtoreshë.
Për herë të parë një grua do të drejtojë një Ndërmarrje Publike në Komunën e Gostivarit.
Artana Asani vjen në këtë pozitë nga brenda administratës komunale, me një përvojë mbi 15-vjeçare në fushën e financave, çka konsiderohet një garanci për profesionalizëm dhe vazhdimësi në menaxhimin e Komunalec-it.
Në fjalën e tij, Zeadin Nuredini njoftoi përfundimin e mandatit të tij njëvjeçar në krye të NP Komunalec, dhe bëri të ditur se do të rikthehet në profesionin e tij si mësimdhënës në Shkollën Fillore “Bashkimi” në Gostivar.
Ky ndryshim shënon një moment të veçantë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në pozita udhëheqëse brenda institucioneve publike lokale.