
Valbon Limani priti studentin e dalluar në Angli, Naser Veliu nga Gostivari
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka pritur sot në takim studentin e dalluar gostivaras, Naser Veliu, i cili ka bërë emrin e qytetit të njohur në Angli me sukseset e tij akademike, njofton Flaka.
“Kisha kënaqësinë të prisja në Komunë një gostivaras që emrin e qytetit tonë e ka bërë të shkëlqejë në Angli. Ai është studenti i dalluar, Naser Veliu. Përveç vlerësimit dhe urimeve që i dhashë, një nga temat që diskutuam ishte se si mund t’i dërgojmë studentë të tjerë, si Naseri, me bursa në universitetet e Anglisë. Jam tejet optimist se mendjet e ndritura të rinisë sonë do të spikasin në inteligjencën ndërkombëtare, ashtu si po bën edhe Naseri i dashur”, tha Limani.
I riu nga Gostivari, pas një konkurrence të fortë ku kishte mundësinë të zgjidhte mes pesë universiteteve prestigjioze – King’s College London, The University of Edinburgh, The University of Manchester, The University of Sheffield dhe University of Leeds – vendosi të ndjekë studimet për elektroinxhinieri në Universitetin e Manchesterit.
Pas diplomimit, ai kthehet si ekspert i një drejtimi jo të zakonshëm dhe deficitar për vendin tonë.
Suksesi i tij nisi që në bankat e shkollës, ku si nxënës i rregullt i “Yahya Kemal College – Tetovë” arriti rezultate të larta që i hapën dyert për bursë në universitetet prestigjioze të botës. Përveç studimeve, Veliu është aktiv edhe në shoqërinë civile. Ai është shpallur ambasador i ri për ndryshime klimatike nga organizata Go Green, ndërsa ka qenë aktiv në Environmental Youth Organization (EYO) dhe Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM).
Gjithashtu, ai ka marrë pjesë në gara të shumta shkollore, nga të cilat është kthyer gjithmonë me vendin e parë.
Kujtojmë se Naser Veliu është trashëgimtar i një familje atdhetarësh nga fshati Sërmnovë i Gostivarit. Ai bart emrin e gjyshit të tij, dëshmorit të kombit Naser Veliu. Flaka