
Valbon Limani: Zgjedhjet e tetorit – moment kyç për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
ryetari i Komunës së Gostivarit dhe anëtar i Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, Valbon Limani, në një intervistë për TV A2 në Tiranë, ka deklaruar se zgjedhjet lokale të tetorit 2025 do të jenë një moment vendimtar për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ai paralajmëroi se opozita shqiptare, e bashkuar nën çatinë e Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim, synon një rezultat të jashtëzakonshëm.
“Sfida jonë është e qartë: të marrim numrin më të madh të komunave që sot drejtohen nga shqiptarët dhe të sjellim ndryshime reale në skenën politike. Besoj fort se kjo fitore do të reflektojë në të mirën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” – u shpreh Limani.
Duke analizuar situatën politike, ai shprehu shqetësimin se ndarja e forcave shqiptare mund të rrezikojë humbjen e disa komunave kyçe.
“Ky rrezik do të shmanget vetëm përmes një bashkimi të sinqertë dhe një platforme të qartë që i shërben interesit të përgjithshëm kombëtar,” – tha Limani.
Kreu i Gostivarit reagoi gjithashtu ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare të bëra gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, duke i cilësuar ato si një alarm serioz për stabilitetin dhe demokracinë.
“Ajo që më brengos më tepër është mosveprimi institucional. Kemi parë raste kur organet e shtetit kanë reaguar menjëherë, si në rastin e klubit të futbollit Shkëndija, por për veprime të natyrës raciste e ekstremiste etnike nuk ka ende zhvillim institucional. Kjo tregon standarde të dyfishta,” – theksoi Limani.
Sipas tij, reagimet e vonuara të liderëve politikë maqedonas krijojnë dyshime te shqiptarët mbi gatishmërinë e tyre për të ndalur incidente të tilla në të ardhmen. Ai bëri thirrje që dënimet deklarative të shoqërohen me veprim konkret.
“Kjo është thelbësore jo vetëm për të garantuar barazinë etnike, por edhe për të mbrojtur rrugën e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian,” – tha Limani. Flaka Media