Van Dajk nuk rinovon, Liverpulli ka gati zëvëndësuesin nga Portugalia
Virxhil Van Dajk ka alarmuar Liverpullin, duke lënë të hapur mundësinë e largimit këtë verë, duke qenë se mbrojtësi holandez dhe “The Reds” nuk e kanë gjetur ende marrëveshjen për rinovimin e kontratës që skadon verën e 2025-ës.
E për të mos u gjetur të pa përgatitur nga largimi i Van Dajk, drejtuesit e klubit anglez po lëvizin me shpejtësi për të sjellë në “Anfield Road” mbrojtësin 23-vjeçar të Sportingut të Lisbonës, Goncalo Inacio. Ky i fundit po bën mjaft mirë në klubin portugez dhe ndiqet nga shumë klube, teksa Liverpulli duket se është gati të paguajë 60 milionë euro për të fituar garën dhe për të marrë mbrojtësin në Premier Ligë.
Ardhja e Inacios jo vetëm që do të zhdukte alarmin nga një largim i mundshëm i Van Dajk, por do të përforconte edhe më shumë prapavijën edhe në rast qëndrimi të holandezit, që gjithsesi me 33 vite mbi supe, nuk premton të vazhdojë edhe për shumë vite në nivele të larta.