Venat e zgjeruara dhe trajtimi i tyre
Venat e zgjeruara (varikoze) janë vena të fryra, të zgjeruara e të përdredhura që shpesh paraqiten në këmbë, janë një gjendje klinike lehtësisht e dukshme dhe që vërehen lehtë në momentin kur fillojnë të paraqiten
Ass. Dr. Adhurimi Koshi
Kirurg Vaskular
Tel: +383 44 625 025
Instagram / Facebook / Tiktok
e-mail: adhurimkoshi@gmail.com
Sëmundjet kronike venoze përfshijnë një spektër të gjerë të sëmundjeve të venave duke filluar nga telangiektazitë e thjeshta (venat merimangë), venat retikulare, venat varikoze, ënjtet e këmbëve si dhe komplikimet e tyre.
Venat e zgjeruara (varikoze) janë një prej problemeve shëndetësore më të shpeshta që paraqiten tek pacientët dhe që raportohen në institucionet shëndetësore. Janë patologji që kanë sëmundshmëri të konsiderueshme dhe kosto afatgjatë të trajtimit për pacientin, prandaj edhe kërkojnë vëmendje të madhe.
Sa janë të përhapura sëmundjet e venave?
Sëmundjet e venave, janë patologjitë më të shpeshta në kirurgjinë vaskulare, ku rreth 35-40% e njerëzve kanë probleme duke filluar nga venat marimangë, venat retikulare, venat e zgjeruara, e deri te trombozat e venave të thella dhe sipërfaqësore.
Çfarë janë venat e zgjeruara (varikoze)?
Venat varikoze janë vena të fryra, të zgjeruara dhe të përdredhura që shpesh paraqiten në këmbë dhe janë një prej problemeve më të shpeshta jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike e sociale në mbarë botën.
Venat, janë enë të gjakut që e kthejnë gjakun në zemër dhe këtë e mundësojnë valvulet njëdrejtimëshe në brendësi të venës si dhe pompa muskulore e gjymtyrëve.
Venat varikoze, shfaqen si pasojë e mosfunksionimit të valvuleve të venave, hipertensionit venoz dhe dëmtimit të pompës muskulore, prandaj dhe gjaku në brendësi të venave nuk shkon në drejtim të zemrës por kthehet prapa në vena, duke shkaktuar me kohë edhe zgjerimin e tyre.
Cilët janë disa nga faktorët që kontribuojnë në zhvillimin e venave varikoze?
Mosha: Dobësimi dhe dëmtimi i valvuleve venoze është shkaktari kryesor i formimit të venave varikoze. Me kalimin e moshës, këto valvule në mënyrë natyrale dobësohen. Si rezultat i kësaj, elasticiteti dhe forca e valvuleve zvogëlohen, duke rritur rrezikun për vena varikoze. Megjithatë, edhe para moshës 40 vjeçare, pacientët mund të vënë re shfaqjen e venave te vogla me ngjyra blu apo roze, si vena retikulare apo vena merimangë (kapilarë).
Shtatzënia: Përafërsisht në rreth 2 nga 5 gra shtatzëna shfaqen venat varikoze, një fenomen i lidhur kryesisht me ndryshimet hormonale. Fetusit në zhvillim, i duhet një volum gjaku më i lartë, duke e rritur kështu presionin e venave në zonën e pelvikut dhe në këmbë. Hormoni progesterone, gjithashtu kontribuon duke i zgjeruar dhe relaksuar venat. Si rezultat i këtyre ndryshimeve hormonale mund të vie deri në formimin e venave varikoze. Fatmirësisht, në shumicën e rasteve, këto vena varikoze kanë tendencë të zvogëlohen pas lindjes.
Faktorët trashëgues: Është e vërtetë që venat varikoze me shumë shfaqen tek gjinia femërore. Venat varikoze, janë më të shpeshta tek femrat (55%) krahasuar me meshkujt (45%). Pothuajse 50% kanë një histori familjare të venave varikoze. Nëse të dy prindërit kanë vena varikoze, shanset për të zhvilluar sëmundjen, janë afër 90%.
Terapia homonale: Përdorimi i pilulave kontraceptive që përmbajnë estrogen, një hormon kryesor i gjinisë femërore, mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të venave varikoze. Përdorimi i terapive të zëvendësimit të hormoneve të udhëzuar për të lehtësuar simptomat e menopauzës, gjithashtu mund të rrisë këtë rrezik.
Roli i hormoneve në ndikimin e funksionit të venave, nënvizon rëndësinë e tyre në shfaqjen e venave varikoze
Stili i jetesës: Mbipesha kontribuon në rritjen e ngarkesës mbi venat në abdomen dhe këmbë, duke shkaktuar me kohë edhe zgjerimin e tyre. Aktiviteti i përditshëm fizik, sidomos i ushtrimeve që përqendrohen në forcimin e muskujve të legenit dhe këmbëve, të tilla si ecja dhe biçikleta ka një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e pompës muskulare të venave dhe rritjen e kthimit të gjakut venoz në drejtim të zemrës.
Nëse kaloni shumë orë gjatë ditës ulur në një tavolinë, sigurohuni që gjatë ditës të bëni lëvizje të shkurta dhe të shpeshta, duke aktivizuar muskujt e pulpit dhe kështu duke e rritur kthimin e gjakut venoz.
Të gjitha ato profesione të cilat shoqërohen me qëndrime të gjata në këmbë, shoqërohen me paraqitjen e venave varikoze. Prandaj, tek këta persona rekomandohet ecje gjatë ditës, aktivitet i rregullt fizik dhe përdorimi i çorapeve elastike kompresive, nëse tashmë kanë filluar të shfaqen shenjat e para të zgjerimit të venave.
Cilat janë shenjat e para të venave varikoze?
Shenjat e para që paraqiten, zakonisht janë shenjat që shfaqen në këmbët e pacientëve, si venat merimangë (teleangiekazite), venat retikulare dhe zgjerimi apo fryerja e venave, pra venat varikoze. Më vonë, me përparimin (avancimin) e sëmundjes mund të paraqiten shenja dhe simptome tjera, si ndjenja e rëndesës së këmbës, kruarja e venave të zgjeruara, dhimbje dhe ënjtje e këmbëve. Stade më të avancuara të sëmundjes, janë ndryshimet që shfaqen në lëkurë si hiperpigmentimi i lëkurës, lipodermatoskleroza dhe ekzema.
Si komplikime poashtu mund të shfaqen edhe gjakderdhja nga venat e zgjeruara, ulcerat venoze, atrofia e lëkurës, tromboza e venave të zgjeruara (varikoflebiti) dhe tromboza e venave të thella.
A duhet operuar venat e zgjeruara?
Kur shfaqen venat e zgjeruara atëherë operimi i tyre është zgjidhja ideale. Modalitetet e mjekimit janë operimi klasik kirurgjik dhe largimi i venave kryesore te jashtme dhe venave të zgjeruara, operimi me laser dhe radiofrekuencë e njohur si ablacion endovenoz, ablacioni me ngjitës medikal (VenaSeal), ablacioni mekano-kemikal (MOCA) dhe trajtimi me skleroterapi (injektimi i substancës sklerotizuese ne brendësi te venës). Poashtu, sot përdoren edhe teknikat e reja të trajtimit të cilat thirren si teknika të ruajtjes së venës safena (saphenouas sparing technique) CHIVA dhe ASVAL.
Trajtimi konzervativ me çorape ose fashë kompresive dhe trajtimi medikamentoz rekomandohet vetëm në fazën fillestare të sëmundjeve të venave si dhe për të përmirësuar ënjtjen eventuale të këmbëve.
Tipet e trajtimit të trajtimit të venave të zgjeruara dhe rezultatet e tyre
Operacionet e hapura të venave varikoze apo stripingu (tërheqja) i venës
Zakonisht kryhen si procedura ditore në spitale, por qe kerkojne anestezion të përgjithshëm ose anestezion regjional. Shumica dërrmuese e pacientëve mund të trajtohen me shumë sukses me kirurgji minimale invazive, megjithatë në një pjesë të vogël të pacientëve mund të indikohet operacion i hapur stripingu, pra largimi në tërësi i venës.
Rezultatet: Rezultate të mira, por jo aq efikase sa procedurat e tjera minimalisht invasive si ablacioni endovenoz me laser ose radiofrekuencë. Koha e rikuperimit pas operimit të pacientit është 2-4 javë.
Përsëritja (rikthimi) e venave te zgjeruara: tek 80-85% e pacientëve nuk do t’i rikthehen venat varikoze deri pas 10 vjetësh pas operimit me kirurgji të hapur.
Trajtimi i venave të zgjeruara me laser apo radiofrekuencë – ablacioni endovenoz
E tërë procedura mund të kryhet nën anestezion lokal, së pari bëhet një shpim i vogël (inicizion) i lëkurës në këmbë dhe pastaj futet fibri i laserit ne brendësi të venës e cila do të trajtohet. Energjia që e liron laseri në brendësi të venës, përdoret më pas për të trajtuar venat e zgjeruara dhe për t’i mbyllur ato, pa pasur nevojë për operim klasik kirurgjikal.
Nuk kërkon qepje dhe nevojitet vetëm anestezi lokale. E tërë procedura e trajtimit përcjellët me anë të ultrazërit intraoperative. Ablacioni endovenoz me laser ose radiofrekuencë si trajtim minimalisht invazive është bërë tashmë trajtimi i parë i zgjedhur nga ana e kirurgëve vaskular kudo në botë.
Është metoda e parë e zgjedhjes për trajtimin e venave varikoze si dhe e rekomanduar nga Shoqata Evropiane e Kirurgëve Vaskularë si dhe nga shoqëritë vaskulare të SHBA-së.
Shumica e venave varikoze, mund të trajtohen në këtë mënyrë.
Rezultatet: Rezultate të shkëlqyera post operative. Rikuperimi i pacientit brenda ditës. Shumica e pacientëve i rikthehen punës dhe aktivitete ditore brenda 24 orëve pas trajtimit.
Përsëritja (rikthimi) e venave te zgjeruara: tek 95% e pacientëve nuk do të rikthehen venat varikoze deri pas 10 vjetësh pas operimit me laser apo radiofrekuencë.
Sklerotherapia
Skleroterapia, është procedurë mjekësore injektimit të substancës sklerotizuese në enë të gjakut. Me skleroterapi, mund të trajtohen venat varikoze (venat e zgjeruara), venat retikulare, venat merimangë (spider veins, teleangiektazitë) dhe malformacionet vaskulare të lindura (kongjenitale).
Substanca sklerotizuese, mund të aplikohet në formë shkume si foam-skleroterapi dhe në formë të lëngshme si liquid-skleroterapi.
Efekti i skleroterapisë më së miri arrihet pas 4-6 javë e deri 3-6 muaj, pas trajtimit.
Skleroterapia duhet të kryhet në disa seanca trajtimi, për shkak të sasisë së limituar të substancës sklerotizuese që mund të aplikohet në një ditë trajtimi. Pas skleroterapisë rekomandohet që pacienti të vendos çorape apo fashë elastike kompresive për disa ditë.
Në disa raste, nuk është e mundshme të largohen të gjitha venat merimangë për shkak të kalibrit shumë të vogël të enës së gjakut dhe rezistencës në terapi sklerotizuese.
Skleroterapia shpesh herë duhet të kombinohet edhe me metoda tjera të trajtimit si i laserit dhe radiofrekuenca. Para çdo trajtimi me skleroterapi është i nevojshëm ekzaminimi i pacientit dhe ultrazëri i enëve të gjakut.
Rezultatet: Të moderuara. Rreth 60% e pacientëve nuk do t’i rikthehen rikthehen venat varikoze pas 3 vitesh. Përsëritja e hershme monitorohet përmes mbikëqyrjes së rregullt me ultratinguj. Shumica e pacientëve i rikthehen punës dhe aktiviteteve ditore brenda ditës. Duhet të vendosen çorape elastike kompresive, për rreth 1 javë. /Telegrafi/