
Vetëvendosje gati për “Kurti 3” – Gjykata Kushtetuese vendos fatin e qeverisë sot!
AA
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton fatin politik të Kosovës
Situata politike në Kosovë po kalon në një fazë vendimtare. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë politike në vend, pritjet publike janë të fokusuara tek formimi i Qeverisë “Kurti 3”.
Megjithatë, procesi është pezulluar përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka ndaluar çdo veprim institucional për formimin e qeverisë deri më 30 shtator.
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, është shprehur optimist se Vetëvendosje do të udhëheqë sërish me qeverinë, sapo të merret vendimi përfundimtar nga Gjykata.
“Ne po presim vendimin përfundimtar më 30 shtator. Pastaj e kemi afatin 15-ditësh dhe jam shumë i sigurt që, sapo të konstituohet Kuvendi, brenda atij afati do ta kemi Qeverinë ‘Kurti 3’”, ka deklaruar Çeku.
Qarri: Vetëm Vetëvendosje mund ta formojë qeverinë e re
Analisti politik Gani Qarri thekson se vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë guximin dhe vendosmërinë për të formuar qeverinë e re, ndërsa pengesë e vetme mund të jetë Gjykata Kushtetuese.
“Vetëm VV me Albin Kurtin mundet, guxon dhe ka vendosmërinë e plotë për ta formuar Qeverinë e re dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Pengesë mund të bëhet vetëm Gjykata Kushtetuese, nëse shpik një veto etnike që do ta zhbënte konstituimin e Kuvendit – një akt që do të ishte shkelje e rëndë e Kushtetutës”, ka deklaruar Qarri.
Sipas tij, në rast se Kushtetuesja do të merrte vendim në favor të Listës Serbe, do të krijohej një precedent i rrezikshëm politik për shtetin e Kosovës. Ai shton se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, Vetëvendosje do të dalë përsëri fituese, pasi opozita ka treguar mungesë guximi për të marrë përgjegjësi qeverisëse.
“Partitë opozitare treguan frikë dhe mungesë uniteti për marrjen e përgjegjësisë. Nëse vendi shkon në zgjedhje, ato do të pësojnë rënie edhe më të madhe. Vetëm Vetëvendosje ka dëshmuar se është forca e vetme që mund dhe di të udhëheqë shtetin”, tha Qarri.
Mehmeti: Pa shumicë, nuk ka qeveri
Ndërkohë, analisti politik Faton Mehmeti thotë se deklarata e ministrit Çeku është më shumë një bindje politike sesa pasqyrim i realitetit parlamentar.
“Është e vërtetë që Vetëvendosje ka dalë fituese, por për të qeverisur nuk mjafton vetëm pozicioni i partisë së parë – duhen edhe numrat e shumicës parlamentare. Pa to, çdo qeveri mbetet e pamundur”, ka theksuar Mehmeti.
Ai parashikon tre skenarë të mundshëm për formimin e qeverisë së re:
1. Koalicion me një parti shqiptare – LDK ose PDK mbeten partnerët e mundshëm për sigurimin e shumicës, megjithëse një marrëveshje me PDK-në mund të shkaktonte reagime të ashpra në bazën e VV-së.
2. Qeveri e pakicës, me mbështetje të jashtme për vendime të caktuara, që do ta bënte qeverisjen të brishtë.
3. Bashkëpunim me partitë e minoriteteve, që janë të domosdoshme për përfaqësim, por jo të mjaftueshme për shumicë.
“Pa kompromis politik dhe marrëveshje koalicioni nuk ka garanci për formimin e Qeverisë ‘Kurti 3’. Fitimi i zgjedhjeve është vetëm kushti i parë për qeverisje. Pa shumicë, s’ka qeveri”, përfundoi Mehmeti.
Pritje për vendimin e Kushtetueses
Tashmë, vëmendja e të gjithë opinionit publik dhe politik është përqendruar tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që pritet të publikohet sot. Ky vendim do të përcaktojë nëse do të hapet rruga për formimin e Qeverisë “Kurti 3”, apo nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.(BS)