(VIDEO) Abdiu: Qytetarët harxhojnë 3 miliardë euron në vit në bixhoz
Kryetari i Lëvizjes Antibixhoz Xhemal Abdiu në emisionin Impakt, ka ndarë të dhëna shqetësuese sa i përket numrit të qytetarëve të cilët luajnë bixhoz. Ai tha se krahasur me numrin e mëhershëm, me rritjen e numrit të objekteve të kazinove dhe bastoreve, është rritur dukshëm edhe numri i qytetarëve që luajnë bixhoz. Ndërsa, ai shtoi se, shqetësuese është edhe vlera e parave që harxhohen për bixhoz.
Xhemal Abdiu, Kryetar i Lëvizjes Antibixhoz
“Sipas tyre, ky shtet ekziston nga ato 280 milionë euro që i japin këto. Çka dua të them me këtë, në qoftë se dikur është harxhuar 500 milionë euro, tash flitet për afërsisht 3 miliardë euro harxhim vjetor. Çka do të thotë kjo, 3 miliardë euro nxjerrin nga xhepat e qytetarit. Këto objekte janë shumë afër objekteve arsimore. Ka edhe diçka tjetër, se ligjet mund të sillen por në qoftëse këto ligje nuk janë të vendosur që të praktikohen është dështim”.
Duke komentuar propozim ligjin e ri për lojërat e fatit i cili u miratua nga Qeveria dhe me të cilin, parashihet që objektet e lojërave të fatit të largohen më së paku 500 metra nga shkollat, Abdiu tha se me këtë nuk zgjidhet plotësisht problemi i bixhozit në vend, megjithatë mund të konsiderohet si një fillim i mbarë drejt zgjidhjes së plotë.
Xhemal Abdiu, Kryetar i Lëvizjes Antibixhoz
“Në vijë ajrore, në qoftë se objektet e lojrave të fatit, ne ashtu i themi se përndryshe janë lojëra të pafatit, në qoftë se janë në distancë ajrore atëherë kapin një diametër shumë më të madh, sepse në rrugë tokësore duhet të shkohet në rrugën kryesore deri sa të vijë. Tani, ai 500 metërshi në rrugën tokësore mund të jetë 700 apo 800 metërshe, që i bie se ato objekte që janë afër objekteve arsimore nuk do të mund që të largohen. Është mirë që ata të precizojnë se ky propozim ligj është në vijë ajrore apo është apo në vijë tokësore”.
Kjo është hera e tretë që deputetët do të votojnë për ligj për lojërat e fatit Brenda dy viteve, pasi dy ligjet e dorëzuara në Kuvend në të kaluarën nuk kanë kaluar.
/SHENJA/
