(VIDEO) Ahmeti: Mbipesha lidhet me diabetin dhe sëmundjet kardiovaskulare
Me rastin e Ditës Botërore të Mbipeshës, sot u mbajt një aktivitet sensibilizues me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell mbipesha dhe obeziteti në shëndetin e qytetarëve. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, profesionistë të fushës së mjekësisë si dhe përfaqësuesi aktual i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) për Maqedoninë e Veriut dr. Akeem Ali.
Ndërkaq mes folësve ishte edhe drejtori i Klinikës Universitare të Endokrinologjisë, Diabetit dhe Çrregullimeve Metabolike Dr. Irfan Ahmeti, i cili theksoi rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe ndryshimit të stilit të jetesës si hapa kyç në luftën kundër mbipeshës.
Dr. Irfan Ahmeti, drejtor i Klinikës Universitare të Endokrinologjisë, Diabetit dhe Çrregullimeve Metabolike
“Të gjithë janë të prekur mirëpo gjithsesi alarmin do ta ngrisim ne tek fëmijët dhe tek të rinjtë për arsye se fatkeqësisht siç thamë obeziteti ka komplikacione dhe sa më i ri që je obez aq më së shum reziku për paraqitjen e komplikimeve në moshë më të re është më i madh. Duhet të intervenojmë në qasjen e obezitetit, në qasjen multidisiplinare, në qasjen që nga themeli ti ndryshojmë veset e këqia”.
Ai thotë se duhet parandaluar mënyra e keqe e të ushqyerit, qoftë përdorimin e ushqimeve që kanë shumë sheqerna, pijeve me sheqerna dhe mosaktivitetin fizik, ai shton se duhet ti nxisim fëmijët dhe të rinjtë që të merren më tepër me aktivitet fizik dhe të shmangin qëndrimin para ekranëve, dhe po ashtu ngrit alarmin në rregullimin e gjumit që një fëmijë, një i rritur të ketë gjumë kualitativ dmth gjumë nate, jo gjumë dite, sepse siç thotë ai edhe gjumi është një nga shkaktarët që mund të jetë arsyeja e shfaqjes së obezitetit.
Anida Murati /SHENJA/