VIDEO / Çellsi vuan deri te fitorja, Man. Siti festoon me përmbysje
Çellsi vuajti përballë Kristal Pallasit, por arriti të merrte tri pikët falë fitores 2-1. Ukrainasi Mudryk kaloi vendasit në avantazh në minutën e 12’, por skuadra e Hoxhsonit barazoi në “limitet” e së parë me Olise. Maurisio Poketinjo aktivizoi Armando Brojën në minutën e 71’, me sulmuesin shqiptar që iu afrua golit në 83′. VAR-i anuloi golin e Xheksonit (77’), por “Blutë e Londrës” fituan një penallti falë teknologjisë një minuta përpara fundit. Me Madueken që realizoi golin e fitores.
Man. Siti festoi me përmbysje. Kampionët në fuqi të Anglisë, triumfuan 1-3 në “Goodison Park” përballë Evertonit. Vendasit kaluan në avantazh pas gjysmë ore lojë me Harrisonin. Por, djemtë e Pep Guardiolës shënuan dy herë brenda 11 minutave në fraksionin e dytë. Foden dhe Alvarez me penallti përmbysën rezultatin. Suksesi me “tris” u kompletua nga Bernardo Silva në fund, me Sitin që ngjitet në kuotën e 37 pikëve. Liverpulli kryesues, që ka luajtur një ndeshje më shumë, ndodhet 5 pikë larg.
Sfida tjetër, Brentford-Vulverhepton përfundoi me triumfin e thellë 1-4 të “Ujqve”, të cilët siguruan tri pikë të arta në një transfertë të komplikuar.