VIDEO/ Detaje të reja, si ndodhi aksidenti tragjik me katër viktima në Tepelenë
Detaje të reja kanë dalë lidhur me aksidentin tragjik me katër viktima të shënuar mbrëmjen e kësaj të diele, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj. Burime për mediat bëjnë me dije se një prej makinave është bërë shkak i përplasjes.
Drejtuesi i automjetit tip “Benz” si pasojë e shpejtësisë të lartë ka humbur kontrollin duke dalë në korsinë e kundërt. Pasi ka bërë disa rrokullisje ai është përplasur me mjetin tip “Toyota Yaris”. Në aksident është përfshirë edhe drejtuesi i mjetit “BMW” që ndodhej pas tij.
LEXO EDHE: Rëndohet bilanci i aksidentit të trefishtë në Tepelenë, humbin jetën 4 persona
Krahas shpejtësisë, një tjetër faktor i cili ka ndikuar në këtë aksident tragjik thuhet se ka qenë dhe lagështira në rrugë.
Policia më herët njoftoi se si pasojë e këtij aksidenti të trefishtë humbën jetën 4 persona, ndërsa dy të tjerë ndodhen në spital në gjendje të rëndë për jetën. Fillimisht ata u transportuan drejt spitalit të Gjirokastrës, por për shkak të gjendjes së tyre të rënduar janë nisur me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Deri më tani identiteti i viktimave dhe të plagosurve nuk është bërë me dije. Presim më tepër detaje në vijim.