(VIDEO) Dosja Epstein, prokuroria heton pretendimet për transport të trurit të të vdekurve
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu beson se janë shumë të vogla shanset që të ketë pasur çfarëdolloj abuzimesh në rastin me eksportin e trurëve nga Maqedonia në SHBA për kërkime shkencore, pasi siç tha duhet pasur parasysh faktin se është një projekt shkencor afatgjatë që përfshin një nga vendet më të fuqishme në botë. Edhe pse Ministria tashmë ka formuar grup pune për këtë rast, Aliu u shpreh se personalisht beson që në këtë rast rregullat rrepsisht janë respektuar.
Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Personalisht, jo si ministër por si njeri, vlerësoj se ka shumë pak hapësirë për abuzime. Nga ana tjetër është SHBA, vend me protokolle të definuara qartësisht për materiale biologjike. Pra, bëhet fjalë për një universitet prestigjoz, kurse shkenctari është me famë botërore dhe personalisht besoj se nuk mund të lejohet të ketë abuzime, pa protokolle të definuara qartë”.
Prokuroria Themelore Publike njoftoi se ka formuar lëndë për këtë rast.
Prokuroria Themelore Publike
“Lënda është dorëzuar për procedurë kompetente në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila duhet të ndërmarrë veprime për të mbledhur informacione zyrtare nga autoritetet, institucionet dhe institucionet shëndetësore kompetente, me qëllim përcaktimin e trajtimit të mundshëm të paligjshëm të indeve dhe biomaterialeve njerëzore, lëshimeve ose abuzimeve në marrjen e lejeve dhe pëlqimeve”.
Sipas pretendimeve nga dokumentet e publikuara të dosjes Jeffrey Epstein, në pjesën për Maqedoninë përmendet se mostrat e trurit të individëve të vdekur nga vendi dyshohet se janë transportuar për qëllime kërkimore shkencore në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të një studimi shkencor afatgjatë mbi vetëvrasjet, ku shkencëtarë amerikanë që bashkëpunojnë me Universitetin “Columbia” kanë krijuar një bankë trurish njerëzorë për kërkime shkencore.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/