(VIDEO) Dyshime për prapavijë politike gjatë ndarjes së mjeteve në Kulturë
Pas shpërndarjes së mjeteve për projektet kulturore nga Ministria e Kulturës, në opinion ka pasur reagime të shumta. Të fundit që kanë reagur janë nga Festivali i Teatrove Othello, i cili nuk ka fituar asnjë mbështetje financiare. Drejtori i Festivalit, Argjent Hasani, kërkoi takim urgjent me ministrin e Kulturës, Zoran Lutkov, të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë, sepse në të kundërtën, Hasani tha se ky shqetësim prek rëndë realizimin e programit artistik, agazhimin e trupave të huaja e vendase si dhe aksesin e publikut ndaj iniciativa kulturore të festivalit.
ARGJENT HASANI, DREJTOR I FESTIVALIT TË TEATROVE OTHELLO
“Duke qenë se Othello është pjesë e itenerarit kulturor të vendit dhe kontribon në promovimin e artit skenik dhe turizmit kulturor, kërkojmë me urgjencë një takim zyrtarë me z.Lutkov-ministrin e Kulturës, për të marrë shpjegimet e nevojshme dhe për të diskutuar mundësitë e riparimit të kësaj situate”.
Ndërkaq, producenti i festivalit, Berat Saliu, dyshon se ky refuzim për mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, mund të ketë prapavijë politike.
BERAT SALIU, PRODUCENT I FESTIVALIT TË TEATROVE OTHELLO
“Dyshimet tona janë po. Dyshimet tona kryesore d.m.th ka prapavi politike, edhe pse ne nuk merremi me politik, ndoshta është vështirë ta them kështu, por dyshojmë, d.m.th gjithçka ka të bëjë me politkën në Maqedoni, fatkeqësishtë, pra dyshimet tona janë po”.
Kujtojmë se dy ditë më parë ministri i Kulturës, Zoran Lutkov tha se përzgjedhja e projekteve kulturore është bërë mbi bazën e cilësisë dhe jo përkatësisë etnike. I pyetur për përqindjen e projekteve shqiptare, ai deklaroi se i vjen keq t’i shohë shqiptarët si përqindje dhe theksoi se ndarja etnike e projekteve është e pamundur.
Samir Mustafa /SHENJA/