(VIDEO) Ekspertiza: Paratë në mur kanë qenë të gjykatësit Gjoko Ristov
Edhe pasi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ngriti padi për gjykatësin Gjoko Ristov, nuk ka arritur të vërtetoj prejardhjen e 350 000 eurove, të cilat u gjetën në shtëpinë e prindërve të tij. Mirëpo, sigurojnë që paratë e gjetura në murin e betonuar, janë të tijat, duke kundërshtuar tezën e prindërve të gjykatësit që ato para ishin fituar nga bujqësia, apo kursimet që kishin bërë. Prokurorja e lëndës Iskra Haxhi Vasileva dhe kryetari i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit Islam Abazi, në brifingun me gazetarë thanë se ata nuk mund të vërtetojnë se gjykatësi ka marrë mito nga lëndët që ai ka punuar.
ISKRA HAXHIVASILEVA, PROKURORE
“Gjatë hetimit, siguruam prova të pakundërshtueshme se pikërisht i akuzuari Gjoko Ristov është ai që i ka fshehur paratë, të cilat janë fituar në mënyrë të kundërligjshme. Këtë e vërtetuam përmes ekspertizës, nga gjurmët biologjike”.
Denoncimin për mito në rastin e të akuzuarit Lupço Pecov –Djalli, në rastin “Zinxhiri”, e kishte bërë vet ai dhe motra e tij, ndërsa të njejtën e ka pranuar edhe avokati Fehmi Stafa, për çka edhe u denua me 15 muaj burg.
Ky rast, thotë prokurorja duhet të motivoj të gjithë qytetarët që të denoncojnë korrupsionin.
ISKRA HAXHI VASILEVA, PROKURORE
“Për funksionarët dhe bartësit e funksioneve publike, kjo do të thotë që të punojnë sipas ligjit sepse ne për këtë jemi zgjedh dhe për këtë marrim paga. Për të gjithë qytetarët, që disa herë përmes këtyre lëndëve që prekin praktika korruptive, do të thotë të inkurajohen ta denoncojnë këtë lloj krimi që është i vështirë për të siguruar prova, megjithatë mendoj se të gjithë duhet të kontribojmë, që të jetojmë në një shoqëri më të mirë”.
Pas denimit të Stafës, ai kishte pranuar se kishte marrë mito për të ndikuar tek gjykatësi i Apelit për të zëvendësuar masën e paraburgimit me masë arresti shtëpiak Lupço Pecovit, i cili ishte në arrati.
Emine Ismaili /SHENJA/