(VIDEO) Gashi: Ligji për Qeveri u miratua sipas rregullores
Pavarësisht kritikave dhe akuzave të opozitës se nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski ka shkelur ligjet dhe rregulloren duke mos e ndërprerë seancën e djeshme që ligjin për Qeveri ta dërgojë në Komitetin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, të kundërtën e thotë kryetari Afrim Gashi. Ai siguron se akuzat janë politike ndërkaq thotë se Milloshoski ka vepruar në përputhje me ligjin dhe rregulloren.
AFRIM GASHI – KRYETAR I KUVENDIT
Rregullorja është e qartë në këtë aspekt absolutisht, mendoj se u respektua procedura me rregullore mund të ketë ndonjë indikacion politik pse është vepruar në atë mënyrë, unë në atë aspect nuk ndërhyj, por për sa i përket rregullores konstatoj me plot bindje, jam i bindur se mbrëmë ligji për Qeveri ka kaluar në bazë të rregullores.
I pyetur nga TV Shenja, Gashi tregoi se a do të nënshkruhet në iniciativën e Frontit Europian të nisur në Kuvend për ndryshimet Kushtetuese.
AFRIM GASHI – KRYETAR I KUVENDIT
Duke qenë pjesë e koalicionit VLEN, tashmë së shpejti edhe e partisë VLEN, çfarëdo që kryesia dhe organet udhëheqëse të VLEN-it vendosin në raport me këtë çështje unë do ta respektoj.
Gashi mes tjerash njoftoi se ligji për përfaqësim të drejtë ende nuk ka arritur në Kuvend. Duke komentuar propozim ligjin për deputet kryeparlamentari deklaroi se për miratimin e të njëjtit duhet konsensualitet politik.
Mevludin Imeri /SHENJA/