(VIDEO) Gjimnazisti nga Saraji promovoi librin e parë
Sot në shkollën e mesme në Saraj, një nxënës 18-vjeçar i vitit të katërt ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve me botimin e librit të tij të parë “Arti i Mendimit të Mençur dhe Reflektimi në Shoqëri” nga Hamza Alili. Gjatë promovimit, në fjalën e tij ai ndau se çfarë e frymëzoi, personazhet që e shoqërojnë rrëfimin dhe mesazhet kryesore për shoqërinë dhe të rinjtë. Ai tha se ka filluar të shkruaj në muajin tetor të vitit të kaluar dhe e ka përfunduar më 10 janar.
MARKETING

Hamza Alili
“Frymëzimi për këtë libër më erdhi nga përvoja ime në projekte dhe trajnime të ndryshme ku kam marrë pjesë përmes organizatave të ndryshme joqeveritare. Këto përvoja më kanë ndihmuar të fitoj njohuri të vlefshme të cilat i kam përmbledhur në këtë libër. Libri trajton tema si, zhvillimi personal; respekti; qëndrueshmëria; ndikimi social; roli në shoqëri aktive; rrugët drejt suksesit”.
Ndërkaq edhe drejtori i shkollës, Bedri Gjureci, e përgëzoi Hamzën për këtë rrugëtim të tij krijues, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së të rinjve në zhvillimin e talenteve dhe idesë së tyre për të kontribuar në shoqëri.
Bedri Gjureci, drejtor
“Unë si drejtor jam krenar dhe kam një privilegj në këto momente pasi nxënësit tonë po korin një sukses dhe tregojnë qartësi në shkrimet e tyre dhe japin një mesazh për autorët e rrinj, dhe në përgjithësi për shoqërinë që me shkrim të meren më tepër. Unë nuk dua të zgjas mëtepër i uroj shumë suksese të mëtutjueshme dhe jap mesazhin si Hamza dhe të tjerët moshatarët e hamzës të meren me shkrime”.
Ky promovim i librit u mbyll me një dhuratë simbolike si dhe me urimet e bashkëmoshatarëve dhe mentorëve. Nxënëset Zejnepe Jashari dhe Berna Bekiri, gjithashtu autore të reja në këtë drejtim e përgëzuan Hamzën dhe lexuan nga një poezi nga veprat e tyre. Ndërkaq recenzuesja, prof. Nerzane Rustemi Kadri, i uroi shumë suksese Hamzës dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve në zhvillimin e ideve dhe talentit të tyre.
Anida Murati /SHENJA/