(VIDEO) Hulumtim, rritet mbështeja e qytetarëve për anëtarësim në BE
Hulumtimi i fundit i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, 71 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Rezultatet e studimit, të prezantuara sot në Kuvend, tregojnë se BE-ja vazhdon të perceptohet si partneri më i besueshëm i vendit, veçanërisht në kontekstin e politikave gjithnjë e më të paqarta të Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, është shënuar rritje e numrit të qytetarëve që e shohin Maqedoninë si pjesë të Perëndimit, pas dilemave të viteve të fundit për orientimin drejt Lindjes. Drejtori i Institutit, Marko Troshanovski, thotë se bëhet fjalë për një rritje të madhe të mbështetjes për BE-në, veçanërisht për shkak të ndryshimit të qëndrimeve brenda komunitetit maqedonas.
Marko Troshankoski, Instituti për Demokraci
“Kemi një rritje të ndjeshme prej 15 për qind, veçanërisht te maqedonasit etnikë, të cilët gjithashtu po e mbështesin Bashkimin Evropian, ndryshe nga vitet e kaluara kur kjo mbështetje ishte më e ulët për shkak të frustrimeve të mëdha të përjetuara gjatë procesit të anëtarësimit. Ajo që është gjithashtu interesante është se është ulur numri i qytetarëve që mendojnë se Maqedonia duhet të qëndrojë anash dhe të mos ndërmarrë asgjë në lidhje me procesin e zgjerimit”.
Euroambasadori Mihalis Rokas theksoi se është veçanërisht e rëndësishme mbështetja e të rinjve dhe shtoi se qytetarët po artikulojnë qartë edhe prioritetet duke përfshirë planin e rritjes së BE-së, agjendën e reformave, mbrojtjen e mjedisit, si dhe reformat në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit
Ndërkaq, deputeti i VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshoski tha se, komesarja Marta Kos paralajmëroi se BE do të publikojë një propozim të ri për modele të reja të anëtarësimit.
Antonio Milloshoski, VMRO – DPMNE
“Në shkurt apo mars, Bashkimi Evropian planifikon të dalë me një non paper të ri në lidhje me diskutimet për modalitetet për anëtarësim, nëse do të ketë anëtarësim të plotë, do të ketë anëtarësim asociativ apo do të ketë anëtarësim pa të dretë vote apo pa komesar të vendeve të reja anëtare, por presim që kjo të jetë objekt i një diskutimi më serioz brenda në vet BE-në”.
Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe akuzoi pushtetin se po izolon shtetin nga BE-ja.
Venko Filipçe, lider i LSDM-së
“Qeveria po e çon qëllimisht vendin drejt izolimit, duke sjellë kapital të dyshimtë, duke bashkëpunuar me regjime autoritare në rajon dhe duke shtypur demokracinë dhe lirinë e shprehjes, dhe kjo thjesht nuk të çon askund.
Një nga gjërat më shqetësuese është retorika antievropiane e kësaj qeverie dhe vendosja e fajit për gjithçka tek Evropa, ndërkohë që ata nuk e bëjnë punën e tyre në vend. Rokas tha se këto rezultate i japin Bashkimit Evropian nxitje të madhe”.
Sipas këtij, hulumtimi, euroskepticizmi ka shënuar një rritje të lehtë, ndërsa numri i të pavendosurve është ulur. Është ngushtuar edhe dallimi në mbështetje mes komuniteteve etnike, me rritje të ndjeshme te maqedonasit etnikë dhe mbështetje të vazhdueshme te shqiptarët etnik.
Teuta Buçi /SHENJA/