(VIDEO) Humbja e Orbanit përplas LSDM-në dhe VMRO-në
Humbja e Viktor Orbani-t dhe partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme në Hungari, ka hapur ashpërsuar debatin edhe në skenën politike në vendin tonë.
E në fokus është përsëri, ish kryeministri, Nikolla Gruevski dhe qëndrimi i tij në Budapest.
Lidhja Social Demokrate thotë se me humbjen e Orban, Mickoski dhe Qeveria aktuale e Maqedonisë kanë humbur aleatin e tyre të vetëm që kishin dhe pas të cilit fshiheshin.
Sipas kreut të opozitës, pas Orbanit, pritet të bjerë edhe Aleksandar Vuçiç e bashkë me të edhe Mickoski.
VENKO FILIPÇE – LSDM
“Organizata kriminale VMRO mbetet pa aleatin e saj të vetëm në BE. Nuk ka më fshehje të Gruevskit në Budapest, as kombinime biznesi. Kryeministri i ri i Hungarisë, z. Péter Magyar, ka paralajmëruar reforma të thella në media për shkak të ndikimit të madh që Orbán kishte mbi to. Regjimet autokratike po bien. I radhës është Aleksandar Vuçiç, e bashkë me të edhe Hristijan Mickoski. Nuk është në pyetje vetëm se çfarë do të ndodhë me Hungarinë, por, çfarë do të ndodhë me Mickoskin”
Filipçes i reaguan në mënyrë ekspres nga VMRO-DPMNE-ja. Partia në pushtet thotë se Filipçe nuk duhet të merret me zgjedhjet e shteteve tjera, por duhet të distancohet nga Zoran Zaevi dhe siç pretendojnë ata, “partnerë të dyshimtë të biznesit pro-rusë” të lidhur me Zaevin, ku përmenden emra si Miodrag Daka Davidović, Oleksandr Onyshchenko dhe Borche Markovski.
VMRO-DPMNE
“Prandaj, Filipçe, më pak shqetësohu për zgjedhje dhe rezultatet zgjedhore në shtete të tjera. Përvishi mëngët dhe vendose partinë tënde në binarë dhe në këmbë të shëndosha, nëse mund të thuhet se është e jotja, pasi ti je aty vetëm si ruajtës i karriges. Kjo është mbi të gjitha e rëndësishme, sepse për zhvillimin e një shteti nevojitet një parti opozitare e shëndoshë, një opozitë që qëndron mbi këmbët e veta. Vetëm kështu do të ndihmoni si për shtetin ashtu edhe për qytetarët.”
Kur jemi tek zgjedhjet në Hungari, kujtojmë se Maksim Dimitrievski dhe ZNAM janë ata që e uruan për fitore kryeministrin e ri hungarez. Në urimin e tyre nga ZNAM shprehen të bindur se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet RMV-së dhe Hungarisë do të vazhdojnë të zhvillohen me intensitet të shtuar.
Mevludin Imeri /SHENJA/