(VIDEO) ISHP: Duhani, mbipesha dhe alkooli faktorët për sëmundjet malinje
Me rastin e Ditës Botërore të Luftës kundër Kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik rikujtojnë se duhanpirja përfaqëson një faktor të rëndësishëm rreziku për sëmundjet malinje, veçanërisht për kancerin e mushkërive. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë neoplazitë malinje të bronkeve dhe mushkërive.
Përveç përdorimit të duhanit, faktorë të tjerë rreziku për sëmundjet malinje janë edhe mbipesha, konsumimi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqyerja jo e shëndetshme.
Instituti i Shëndetit Publik
“Numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga neoplazitë malinje në vitin 2024 është 3.958, prej të cilëve 2.325 janë meshkuj dhe 1.633 femra. Në të njëjtin vit, numri i të vdekurve nga neoplazitë në moshë mbi 65 vjeç është pothuajse dyfish më i lartë krahasuar me ata deri në moshën 64 vjeç”.
Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se çdo vdekje e katërt në Maqedoninë e Veriut shkaktohet nga kanceri, shkaku i dytë kryesor i vdekjes pas sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut. Ata thonë se Burrat preken më seriozisht nga ky kërcënim – shkaku më i zakonshëm i vdekjes midis tyre është kanceri i bronkeve dhe mushkërive. Popullsia e moshuar është më e goditura.
Ky trend alarmues nxjerr në pah nevojën për parandalim sistematik, kontrolle të rregullta dhe akses të përmirësuar në shërbimet shëndetësore. Dita Botërore e Kancerit, e cila festohet më 4 shkurt, ofron një thirrje globale për veprim: me diagnozë në kohë dhe ndryshime në zakonet e jetesës, shumë nga këto tragjedi mund të parandalohen.
Anida Murati /SHENJA/