(VIDEO) Komuna e Çairit ka fituar mbi 1 milion denarë mbështetje nga byroja për zhvillim rajonal
Mbi 1 milion denarë mbështetje financiare ka siguruar Komuna e Çairit nga Byroja për Zhvillim Rajonal, në kuadër të Programit për zhvillim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Nga Komuna thonë se Çairi bëhet e vetmja komunë nga komunat urbane të Qytetit të Shkupit që ka përfituar mbështetje në kuadër të kësaj thirrjeje dhe njoftojnë se mjetet e siguruara do të shfrytëzohen për vendosjen e kontejnerëve nëntokësorë për mbeturina komunale në rrugën “Metodija Mitevski”, projekt që synon avancimin e higjienës publike dhe përmirësimin e infrastrukturës komunale.
Nga Komuna kanë njoftuar edhe për vendosjen e 40 shportave të reja për mbeturina dhe paralajmërojnë edhe vendosjen e 120 ulëseve të reja në hapësirat publike të Çairit.
Kryetari i Këshillit Komunal, Muhamed Murtezi tha se aksioni për vendosjen e shportave është bërë në bashkëpunim me ndërmarrjet publike Higjiena Komunale dhe Parqe dhe Gjelbërime.
MUHAMED MURTEZI – KRYETAR I KËSHILLIT KOMUNAL
“Dje dhe sot janë vendosur 40 shporta për mbeturina në lagje të ndryshme të Çairit, duke shpresuar në këtë mënyrë që bashkërisht të kontribuojmë në largimin e mbeturinave në rrugët tona. Ditëve në vijim do të vendosen edhe 120 ulëse të reja ku qytetarët do të kenë mundësi të pushojnë gjatë daljes së tyre në natyrë”.
Murtezi gjithashtu ka njoftuar edhe për vazhdimin e aksionit për largimin e veturave të braktisura dhe lirimin e hapsirave parkuese, po ka njoftuar edhe për vendosjen e kontejnerëve special për mbetjet e kurbanëve, me rastin e festës së Kurban Bajramit.
MUHAMED MURTEZI – KRYETAR I KËSHILLIT KOMUNAL
“Ndërsa, me rastin e Kurban Bajramit, në pesë lokacione të ndryshme do të vendosen kontejner të veçantë, ku qytetarët që therrin Kurban, do të mund të hedhin lëkurat dhe mbetjet e kurbanëve. Gjithsesi, do të njoftoheni për lokacionet dhe vërtetë ne shpresojmë që të respektohet ky qëndrim”.
Nga Komuna e Çairit thonë se qëllimi i gjithë këtyre aktiviteteve mbetet krijimi i një ambienti më të rregulluar, më funksional dhe më të pastër për të gjithë qytetarët.
Mevludin Imeri /SHENJA/