VIDEO / Ku ka përfunduar legjenda e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku
Ajo ka vite që është zhdukur nga jeta publike dhe nuk ka dhënë intervista. Parashqevi Simaku, këngëtarja e famshme shqiptare gjatë viteve ’80, është një emër që mbetet i paharruar për artdashësit. Ajo emigroi në SHBA në vitet ’90 dhe jetoi larg syrit të publikut.
Ka patur zëra se Parashqevia jeton e vetmuar dhe me asistencë sociale. Dihet shumë pak për këtë dhe askush nuk ka folur, as miqtë apo të afërmit. Derisa një video e shpërndarë së fundmi nga gazetari Blendi Fevziu ngjalli kuriozitetin dhe debatet në rrjetet sociale. Kjo video është regjistruar në një qendër vullnetare, që japin çanta me ndihma. Shumë pretendojnë se personi në video është ajo.
Dokumentari i transmetuar në Amerikë është i fokusuar tek vullnetarët që ndihmojnë kryesisht nënat me fëmijë. Në video shfaqet një grua me zë dhe portret që ngjajnë shumë me Parashqevi Simakun, e cila u transmetua në kanalin e njohur të New York-ut, “ABC7”.
Në video, gruaja identifikohet si “Simaku Nolfe”, dhe duket teksa merr pjesë në një iniciativë vullnetare ku dhurohen çanta shpine me ndihma për nënat dhe fëmijët në nevojë. Ky detaj ka bindur shumë prej ndjekësve që gruaja në fjalë është vetë këngëtarja legjendare, edhe pse ajo ka qëndruar larg syrit të publikut prej dekadash.
Komentet në video janë të shumta. Një pjesë e njerëzve kërkojnë më shumë informacion dhe nxisin gazetarin që ta gjejë për ta ndihmuar, ndërsa të tjerë kërkojnë të respektohet privatësia e saj. Disa ndjekës kanë zbuluar gjithashtu se në Facebook ekziston një profil me emrin “Simaku Nolfe”, ku postohen foto aktuale dhe kujtime nga koha e saj si këngëtare e famshme. Megjithëse Simaku ka zgjedhur një jetë të qetë larg kamerave, kjo video ka rikthyer vëmendjen mbi një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare.