(VIDEO) Ligji për Arsimi të Lartë, Janevska: teksti dorëzohet nesër në seancë qeveritare
Ligji për arsimin e lartë do të dërgohet nesër në procedurë qeveritare, pasi kanë përfunduar edhe konsultimet e fundit mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe partnerit të koalicionit në Qeveri nga radhët e partive shqiptare – VLEN. Kështu njoftoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Sipas saj, në takimin me përfaqësuesit e VLEN-it janë diskutuar gjashtë pika lidhur me ligjin, prej të cilave pesë kanë qenë tashmë të trajtuara më herët dhe nuk kanë qenë kontestuese.
Pika e fundit për të cilën u arrit sot marrëveshje, Janevska sqaroi se kishte të bënte me indeksin e Hirshovit. Ajo tha se është dakorduar që ai të mos jetë kriter kryesor për avancimin e profesorëve në tituj më të lartë, por të përdoret si kriter shtesë në rastet kur dy kandidatë kanë numër të njëjtë pikësh.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Kishim gjashtë pika që i diskutuam dhe ramë dakord për të gjashtë dhe nesër ligji do të hyjë në procedurë qeveritare. Pesë nga pikat u diskutuan më parë, sepse ky ishte një proces i vazhdueshëm dhe ato nuk ishin më aspak të diskutueshme. Pika e fundit që diskutuam ishte Indeksi i Hirshovit, për të cilin gjetëm edhe një zgjidhje – që të mos jetë një element bazë si kriter përzgjedhjeje, por duhet të përfshihet në elementët shtesë në kriterin e përzgjedhjes. Në atë rast, kur dy profesorë kanë pikë identike, Indeksi i Hirshovit duhet të jetë vendimtar. Kjo tani është pranuar”.
Ministrja theksoi se në tekst janë përfshirë edhe disa nga vërejtjet e universiteteve, përfshirë fakultetet e arteve, duke bërë që ligji të harmonizohet dhe të mbyllet. Janevska bëri të ditur se projektligji ishte publikuar dy herë në Regjistrin Elektronik të Rregulloreve (ENER), ndërsa janë marrë edhe sugjerime nga fakultetet artistike.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Unë dhe ekipi im u takuam me dekanët e tre fakulteteve artistike në Universitetin ‘Shën Kirili dhe Metodi’. U dakorduam për një ndryshim që e konsideruam të arsyeshëm dhe kërkesa e tyre ishte e justifikuar, ndaj edhe u përfshi në ligj. Pas takimit në Qeveri me shtatë rektorët dhe shumë profesorë nga universitetet në vend, ligji tashmë është mbyllur dhe do të dërgohet në procedurë qeveritare”.
Projektligji për arsimin e lartë, i cili pritet të zëvendësojë ligjin aktual, u prezantua më 6 shkurt të këtij viti. Disa nga risitë e propozuara shkaktuan reagime në komunitetin akademik dhe nga partitë opozitare, të cilat kërkuan tërheqjen e tij. Ligji aktualisht kritikohet nga Lidhja Socialdemokrate, e cila vlerëson se ai përmban elemente të dëmshme për sistemin e arsimit të lartë në vend.
Samir Mustafa /SHENJA/