(VIDEO) Më 1 mars në Maqedoni hyn në fuqi mekanizmi për pagesa më të sigurta
Banka Popullore njofton se nga 1 marsi, do të hyjë në fuqi detyrimi për bankat për të kryer kontrolle shtesë sigurie për klientët kur kryejnë pagesa online me karta pagese. Bankat duhet të sigurojnë mbrojtje për fondet e qytetarëve dhe kompanive përmes autentifikimit të përmirësuar të klientit kur kryejnë pagesa pa prani fizike. Banka Popullore informoi se kontrollet e sigurisë shtohen pasi numri i qytetarëve dhe kompanive që blejnë produkte online me pagesë online është rrittur dhe në të njëjtën kohë janë shtuar edhe sulmet digjitale.
Autentifikimi i përmirësuar, i lejon klientit të një banke specifike, kur paguan në internet, përveç futjes së të dhënave të kartës, të japë konfirmim shtesë të transaksionit përmes aplikacionit zyrtar të bankës, i cili është instaluar në telefon celular dhe i lejon atij të monitorojë në mënyrë të sigurt llogaritë e tij dhe të miratojë pagesat.
BANKA POPULLORE E RMV-SË
“Në vend të konfirmimit me kod SMS, klienti do të marrë njoftim në aplikacionin e bankës mobile dhe do të duhet të miratojë transaksionin. Konfirmimi bëhet me PIN, gjurmë gishti ose njohje fytyre. Pa këtë hap, pagesa nuk mund të kryhet, edhe nëse dikush i ka të dhënat e kartës”.
Banka Popullore informon se me zbatimin e këtij mekanizmi në pagesat online, që nga 1 marsi 2026, përfundon procesi i harmonizimit me rregullat dhe standardet e zbatuara në Bashkimin Evropian për pagesat e sigurta online.
Anida Murati /SHENJA/