(VIDEO) Mickoski heq dorë nga avioni, LSDM: Paratë të shkojnë për rritjen e pagave
Kryeministri Hristijan Mickoski njofton se tërhiqen nga ideja e blerjes së një aeroplani qeveritar. Ai u shpreh se do të tërhiqen, por njëkohësisht do të luten të mbeten gjallë. Mickoski tha se gjatë këtyre viteve në pushtet, e ka përdorur aeroplanin katër herë, në përputhje me dispozitat ligjore.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Nëse rrëzohemi diku dhe nëse vdesim, atëherë mendoj se do t’u bëhet e qartë të gjithëve se ky debat për një qeveri të ardhshme dhe disa kryeministra të ardhshëm është i tepërt dhe i pakuptimtë”.
Sipas nënkryetares së LSDM-së Jovana Trençevska, pasi kryeministri Mickoski siç tha, hoqi dorë publikisht nga qëllimi i tij për të blerë një aeroplan të ri qeveritar, tha se ja ku është një shans për t’i ridrejtuar ato para, miliona euro, për të siguruar një pagë minimale prej 600 eurosh për punëtorët.
Jovana Trençevska, nënkryetare e LSDM-së
“Tani nuk ka më justifikim se nuk ka para. Meqenëse paratë ishin planifikuar për një aeroplan të ri, dhe tani dëgjuam se nuk do të blihet, përveç kësaj keni edhe artikujt nga Buxheti që grupi parlamentar i LSDM-së propozoi për të siguruar para për rritjen e pagës minimale, kështu që ka para”.
Pas akuzave nga LSDM se qeveria po shqyrton blerjen e një aeroplani të ri qeveritar, në vend që t’i ridrejtojë këto para për pagat e punëtorëve dhe projektet infrastrukturore, Qeveria një ditë më parë informoi se aeroplani qeveritar është përdorur ekskluzivisht në përputhje me rregulloret dhe aktet për përdorimin e tij dhe se nuk ka asnjë formë abuzimi.
Drejtori i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Ivica Tomovski, njoftoi së fundmi se Qeveria po shqyrton gjetjen e një mënyre për të siguruar një avion të ri qeveritar, sepse, siç tha ai, ai aktual i nënshtrohet riparimeve të shpeshta dhe është shumë i vogël për t’u përdorur për një delegacion të mirëfilltë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/