(VIDEO) Mickoski: Jemi ndër të parët në Evropë për masa të suksesshme kundër rritjes së çmimeve
Përderisa ngushtica e Hormuzit hapet dhe mbyllet në mënyrë të përsëritur, çmimet e derivateve të naftës në tregjet botërore vazhdojnë të luhaten lehtë, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun vendas. Në lidhje me këtë, kryeministri Hristijan Mickoski, ka mbajtur sot konferencë për media, nga ku tha se Qeveria është e fokusuar në zbutjen e krizës së çmimeve të karburanteve, si një faktor që ndikon drejtpërdrejt në standardin e jetesës së qytetarëve. Megjithatë, Mickoski, tha se rritja e çmimeve të energjensave nuk është pasojë e politikave të brendshme, por e krizave ndërkombëtare dhe çrregullimeve në tregjet botërore.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Në periudhën që po kalojmë, pjesën më të madhe të aktiviteteve tona e kemi përqendruar në tejkalimin e krizës së çmimeve të karburanteve. Këto janë input shumë i rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në çmimet e produkteve bazë për qytetarët. Jemi në një periudhë pasigurie globale dhe goditjet e çmimeve të energjensave nuk janë rezultat i politikave të brendshme, por pasojë e zhvillimeve gjeopolitike, veçanërisht krizave në Lindjen e Mesme dhe çrregullimeve në tregjet botërore”
Mickoski theksoi se vendi renditet ndër të parët në Evropë për nga masat e ndërmarra për përballimin e krizës, duke iu referuar të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Sipas analizave të fundit të FMN-së në nivel evropian, ne jemi ndër tre shtetet e para në Evropë për nga numri dhe vëllimi i masave që kemi ndërmarrë për përballimin e goditjeve të çmimeve. Ndërkohë që opozita thoshte se kemi vonuar dhe se masat nuk janë të mjaftueshme, të dhënat e publikuara më 15 prill tregojnë të kundërtën – se si shtet jemi të tretët sipas përqindjes së masave në raport me BPV-në.”
Ai njoftoi edhe për ulje të re të çmimeve të derivateve të naftës, si dhe vazhdim të masave aktuale.
I pari i Qeverisë pret që Komisioni Rregullator për Energjetikë të marrë vendim për ulje shtesë të çmimeve të derivateve të naftës me rreth 1.5 denarë për litër. Po ashtu, njoftoi se mbetet në fuqi masa e dakorduar me OKTA-n, ku deri në fund të muajit prill do të ketë zbritje prej 2 denarësh për benzinat dhe 3 denarësh për naftën. Me këto masa, Mickoski tha Maqedonia e Veriut ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon.
Samir Mustafa /SHENJA/