VIDEO / Ndodh në Bundesligë, pjesa e parë ‘më e gjatë’ ndonjëherë
Union Berlini mori epërsinë ndaj Volfsburgut falë golit të Daniljo Doekhi, gol ky që u shënua njëkohësisht në minutën e 70-të dhe pak para përfundimit të pjesës së parë, në atë që doli të jetë një ndër golat më të çuditshëm. Mbrojtësi Doekhi i dha avantazhin ekipit të tij teksa në ekran shfaqej minuta e 70-të e ndeshjes. E gjithë kjo për shkak se ishin dhënë 25 minuta shtesë nga gjyqtari i katërt!
Gjyqtari kryesor i takimit nuk kishte tjetër zgjidhje pos të shtyente vazhdimin e ndeshjes, pasi tifozët hodhën topa të tenisit në fushë në shenjë proteste ndaj investimeve të huaja në Bundesligë.
Protesta ishte e dyta në ditët e fundit në Bundesligë, pasi kujtojmë që të njëjtin gjest e kishin bërë edhe tifozët e Dortmundit, duke hedhur topa tenisi në fitoren me rezultat 3-0 ndaj Frajburgut. Strategjia e propozuar e bashkëpunimit do të lejonte investimet e firmave të huaja, të cilat do të ndanin rreth 8 për qind të të drejtave komercial të elitës së futbollit gjerman për 20 vitet e ardhshme. Pasi shkaktuan befasinë sezonin e kaluar duke përfunduar në top katërshe, Union Berlini tani e gjen veten në luftë për mbijetesë në Bundesligën e Gjermanisë.
Fitorja ndaj Volfsburgut ishte një shtysë e madhe për Union Berlinin drejt arritjes së këtij qëllimi dhe këtë rezultat pozitiv do të shpresojnë se do ta përsërisin edhe një herë tjetër ndaj Kellnit javën e ardhshme.