(VIDEO) Në gjimnazin e Zef Lush Markut program për “Ditën e Mësuesit”
Në një atmosferë festive me interpretime në piano, fjalime dhe recitime të shumta nga nxënësit, në Shkollën e Mesme “Zef Lush Marku” u shënua festa e 7 Marsit – Dita e Mësuesit. Programi i përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit solli emocione dhe vlerësim për figurën e mësuesit, duke rikujtuar rëndësinë e arsimit dhe rolin e tyre në formimin e brezave të rinj. Me aktivitete artistike dhe mesazhe falënderimi, kjo ditë u kthye në një moment të veçantë për gjithë komunitetin shkollor.
Me një fjalim rasti para të pranishmëve u drejtua edhe drejtori i shkollës, Arben Mehmeti i cili theksoi rëndësinë e arsimit dhe përkushtimin e mësuesve në edukimin e nxënësve.
Arben Mehmeti, drejtori i shkollës së mesme “Zef Lush Marku”
“Kur kemi shkronjat, kemi çelësin e dijes, me to mund të vendosim në letër fjalët, mendimet dhe gojëdhënat tona. Mund të shkruajmë libra të vegjël, por edhe libra me mijëra faqe. Madje mund të hartojmë, enciklopedi të tëra, shkronjat japin fuqinë të ruajnë kujtesën, kulturën dhe identitetin tonë, por libri me vlerë të vërtetë është kur lexohet, libri më i mirë është ai që hapet, që kuptohet dhe përcillet nga brezi në brez, pikërisht përmes leximit dhe dijes përparon populli shqipëtar. Arsimi është drita qëndriçon rrugën e së ardhmes sonë, e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa ata që na udhëzojnë”.
Ndërkaq programi i përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit solli emocione dhe vlerësim për figurën e mësuesit, duke rikujtuar rëndësinë e arsimit dhe rolin e tyre në formimin e brezave të rinj.
Nxënëse
“Na mësuat të njohim rrënjët tona për të kuptuar të ardhmen. Historia nga ju nuk ishte vetëm datë por mësim jete”.
Nxënës
“Na mësuat ta njohim botën përreth nesh dhe vendin tonë në të. Nga harta mësuam orientimin, ndërsa nga ju mësuam të shohim edhe më larg”.
Nxënëse
“Na mësuat të dallojmë të drejtën nga e padrejta dhe të respektojmë ligjin. Drejtësia nga ju nuk ishte vetëm teori por edhe vlerë morale”.
Ndërkaq, në kuadër të festës së 7 marsit nxënësit kishin organizuan edhe një ekspozitë arti, ku përmes pikturave dhe punimeve të tyre shprehën kreativitetin dhe respektin ndaj mësuesve. Aktiviteti u përmbyll me ndarjen e dhuratave simbolike për mësimdhënësit, si shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe punën e tyre në edukimin e brezave të rinj, duke e bërë festën e 7 Marsit edhe më të veçantë për të gjithë komunitetin shkollor.
Anida Murati /SHENJA/