(VIDEO) Nënshkruhet marrëveshja e qirasë, në Qendrën Klinike do të ndërtohen dy garazhe me kate
Ministria e Shëndetësisë nënshkroi Marrëveshjen e qirasë me Qyetin e Shkupit për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza”. Kryetari i Qytetit të Shkupit premtoi se i njejti do të jetë gati në fund të vitit të ardhshëm. Faza e parë njoftoi ai do të përfshijë ndërtimin e dy parkingjeve, në kapacitet prej 500 vendesh parkimi. Njëri do të jetë tek parkingu te Gjinekologjia, që është në anën e majtë të hyrjes dhe tjetri tek kisha. Kurse sa i përket çmimeve tha se ato do të ngelen të njejta.
Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit
“Parkingjet montuese, në fazën e parë, do të ndërtohen dy të tilla me së paku 500 vende parkimi për fillim. Nëse situata tregon se ka nevojë për vende parkimi shtesë, do të ndërtohet edhe një parking montues. Kjo do të jetë një rregullim i kaosit që ka qenë gjithë këto vite. Potencoj se me çmimet e njejta dhe me shërbime më të mira, këto parkingje do t’i shfrytëzojnë pacientët”.
Ministri i Shëndetësisë Azri Aliu tha se marrëveshja është lidhur për një periusdhë 15 vjeçare me një qira prej 10% të qarkullimit total të realizuar. Qiramarrësi theksoi ai, është i obliguar që para këshillit të Qytetit të Shkupit të propozoj një listë çmimesh për shfrytëzimin e parkimit brenda kompleksit, e cila siç shtoi duhet patjetër të përfshijë bileta për përdorues me qëllime komerciale, për shfrytëzues të shërbimeve shëndetësore brenda kompleksit, për pacientë me sëmundje malinje dhe për të punësuarit në institucione publike shëndetësore
Sinkron: Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Bëhet fjalë për një marrëveshje për dhënie me qira të pasurisë së paluajtshme me marrëveshje të drejtëpërdrejtë me Qytetin e Shkupit, me qëllim organizmin, menaxhimin, rregullimin dhe mirëmbajtjen e parkingut në hapsirën e kompleksit klinik ‘Nënë Tereza’ në Shkup. Qyteti i Shkupit ka detyrim që brenda 60 ditësh të dorëzoj një plan veprimi, për zbatimin e aktiviteteve me afate konkrete për implementim”.
Gjorgjievski bëri me dije se javën e ardhëshme do të bëhet ribalanci i buxhetit dhe njëra nga pikat do të jetë pikërisht çështja e parkingut.
Ata gjithashtu potencuan se pas orarit të punës, nëse vërtetohet se kapacitetet mundësojnë parkim rezident, do ta mundësojnë një gjë të tillë.
Ministri Aliu sqaroi se në këtë prjojekt do të implementohet sistemi i mençur i parkimit, me senzorë të integruar në çdo vend parkimi dhe detektim të vendeve të lira, me kamera për regjistrim të automjeteve, aplikacion mobil për rezervim dhe pagesë në kohë reale si dhe lidhje me sistemin fiskal.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/