(VIDEO) Një vit nga tragjedia në Kocan, familjarët ende presin drejtësi
Një datë që duhej të mbetej një numër i zakonshëm në kalendar, sot është shndërruar në përvjetor të një dite makabre. Dhjetëra të rinj e të reja, më 15 mars të vitit 2025 kishin shkuar të argëtoheshin në koncertin e grupit DNK, të organizuar në diskotekën Pulse në Koçan. Por pak pas mesnate, në orët e para të datës 16 mars, mbrëmja mori tjetër kahje, pasi shkëndijat e mjeteve piroteknike, shkaktuan zjarr vdekjeprurës në lokal, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Komuna e Koçanit dhe prindërit e viktimave, kanë përkujtuar sot ato, duke vendosur 63 karrige të bardha në qendër të qytetit. Në secilën prej 63 karrigeve u vendos nga një trëndafil i bardhë. Gjithashtu u hap një libër ngushëllimesh në kujtim të viktimave. Po ashtu, u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore për viktimat e zjarrit dhe para diskotekës Pulse, u mblodhën familjarë dhe qytetarë. Në aktivitetin e organizuar për të përkujtuar viktimat, u mbajt një heshtje pesëminutëshe. Një vit pas kësaj tragjedie, familjarët ende presin për drejtësi. Sipas hetimeve fillestare të prokurorisë pas incidentit, zjarri u shkaktua nga fishekzjarret, ndërsa objekti në fjalë ka funksionuar me licencë të rreme dhe për vite me radhë ka operuar pa përmbushur standardet e nevojshme. Gjykimi për rastin e zjarrit tragjik filloi më 19 nëntor. Bëhet fjalë për lëndë me 37 të akuzuar, të cilët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë publike. Në mesin e të akuzuarve janë pronarë të lokalit, menaxherë, inspektorë, ish-ministra, ish-kryetarë komunash, roje sigurie dhe nëpunës civilë. Procesi drejtohet nga gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, dhe prokuroria përfaqësohet nga një ekip i zgjeruar prej 15 prokurorësh publikë.
Teuta Buçi /SHENJA/