(VIDEO) ONE Maqedoni – operatori i tretë celular, mori licencë 5 g
“One Macedonia Telecommunications” e kompanisë hungareze të telekomunikacionit “4G” është zyrtarisht operatori i tretë celular në vend. Zyrtarizimi i hyrjes së kompanisë në tregun tonë u bë në Agjencinë për Komunikime Elektronike, e cila ia dha licencën për radio-frekuencat 5G. Operatori i ri fillimisht do të ketë shtrirje në Shkup, dhe do ta përdor rrjetin infrastrukturor të dy operatorëve aktual, derisa ta ndërtoj rrjetin e tij.
Pall Zarandi, drejtor ekzekutiv i operatorit të ri
“Që të jemi plotësisht të pavarur, kjo kërkon kohë dhe prandaj do ta përdorim rrjetin e konkurentëve tanë për të ashtuquajturin roaming nacional. Fillimisht do ta lansojmë rrjetin në Shkup dhe pastaj edhe në territorin e gjithë Maqedonisë”.
Procesi i futjes së një operatori të tretë të rrjetit për rrjetet dhe shërbimet mobile filloi vitin e kaluar pasi Grupi 4G, nëpërmjet degës së tij One Macedonia Telecommunications, i dorëzoi zyrtarisht një letër qëllimi AKE-së më 17 dhjetor 2024, duke shprehur interes për sigurimin e frekuencave radiofonike të disponueshme si pjesë e planit të saj për të hyrë në tregun e telekomunikacionit si një operator i ri në vend.
“One Macedonia” e pagoi tarifën e njëhershme prej 8,020,003 eurosh më 14 janar, duke përmbushur kështu të gjitha kushtet për të marrë tre miratimet.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/