(VIDEO) Propozim ligji për arsim të lartë, Deskoska: Cënon autonominë e universiteteve
Nuk janë vetëm profesorët shqiptarë që kundështojnë propozim ligjin e ri të Ministrisë së Arsimit për arsim të lartë. Në këtë debat është përfshirë edhe ish ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska, aktualisht, profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë dhe nënkryetare e Komisionit të Venedikut.
Duke komentuar draft ligjin e ri, Deskoska ka thënë se tezat se ligji aktual i vitit 2018 është fajtor që asnjë universitet i Maqedonisë nuk është ndër 1.000 universitetet më të mira në Renditjen e Shangait janë të pabaza. Sa i përket propozimit të ri, Deskoska vlerëson se, veçanërisht problematik është kushti i h-indeksit të detyrueshëm, pasi thotë se bëhet fjalë për një parametër që nuk varet ekskluzivisht nga kandidati, por nga sa herë punimet e tij referohen nga autorë të tjerë.
RENATA DESKOSKA, ISH MINISTRE E ARSIMIT
“Ajo që është absurde në projekt-ligjin e ri që po diskutohet është se për promovim parashikohen kushte të vështira dhe në disa fusha edhe të paarritshme, si dhe kushte që nuk varen nga kandidatët. Për shembull, kërkohet një nivel i caktuar i h-indeksit, i cili përcaktohet nga sa herë citohen punimet tuaja. Pra, vendoset një kusht që nuk varet nga kandidati, por nga sa do t’ju citojnë të tjerët. Nëse kërkohen kushte, ato duhet të jenë të realizueshme nga personi që konkuron, dhe jo të varen nga veprimet e të tjerëve”.
Ajo paralajmëron edhe për mundësinë e nepotizmit, transferit të stafit pa konkurrencë reale midis universiteteve. Sipas saj, në vend të përmirësimit të cilësisë, hapet një hapësirë për përqendrim të pushtetit dhe cënim të autonomisë së universiteteve.
RENATA DESKOSKA, ISH MINISTRE E ARSIMIT
“Nepotizmi – punësimi i fëmijëve të ashtuquajtur nga ministrja Janevska familje “doktorantësh” dhe “juristësh”. Me shumë gjasa, ka edhe familje të tjera me ambicie për të punësuar fëmijët e tyre, të cilat nuk i përmend ajo. Transferimi i stafit nga një universitet në tjetrin – kjo është një “dritare e vogël” për të plotësuar Universitetin Kirili dhe Metodij me persona që nuk mund të kalojnë një konkurs të hapur ku mund të konkurrojnë edhe të tjerët duke u transferuar më pas pa konkurrencë. Kjo cenon parimin e konkursit publik dhe të hapur për promovim”.
Sipas Deskoskës problematike me draft ligjin e ri është edhe zgjatja e mandateve të rektorëve dhe dekanëve, me mundësi të rizgjedhjes më shumë se dy herë. Sipas sajë, duke u bazuar në këto fakte, nuk ka logjikë të thuash se qëllimi është përmirësimi i cilësisë së arsimit. Kujtojmë se kundër propozim ligjit për arsim të lartë janë edhe profesorët shqiptarë të cilët reaguan dje duke nënshkruar edhe peticion në të cilin u nënshkruan mbi 200 profesorë.
Mevludin Imeri /SHENJA/