(VIDEO) Protesta e studentëve, Ajdari: Ngjarjet e djeshme treguan fytyrën e vërtetë të këtij pushteti
Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar përgjegjësi nga organet e rendit dhe institucionet të cilët dje devijuan rrugën e studentëve shqiptarë të nisur nga Tirana për të marrë pjesë në protestën studentore.
Sipas koordinatores së grupit parlamentarë, Rina Ajdari ngjarjet e djeshme treguan fytyrën e vërtetë të këtij pushteti duke dëshmuar, frikë nga studentët, frikë nga pakënaqësia qytetare dhe frikë nga çdo zë që nuk mund ta kontrollojnë.
Përgjegjësinë për këto pengesa drejtë studentëve shqiptarë Ajdari e kërkoi nga zv. kryeministri Bekim Sali po edhe zv. kryeministri Arben Fetai.
RINA AJDARI – DEPUTETE
“Për këtë arsye kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali. Opinioni publik meriton përgjigje të qarta:, kush dha urdhër për ndalimin e studentëve dhe mbi çfarë baze ligjore u pengua protesta? Kërkojmë gjithashtu identifikim dhe përgjegjësi për çdo person dhe institucion që ka marrë pjesë në kufizimin e të drejtave kushtetuese të studentëve. Po ashtu, kërkojmë përgjegjësi edhe nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili tashmë është bërë simbol i mungesës politike dhe i heshtjes në momentet kur qytetarët presin qëndrim dhe përgjegjësi“.
Ajdari tha se studentët me protestën e djeshme treguan guxim, dinjitet dhe kulturë demokratike. Ajo shtoi se, protesta studentore tregoi se demokracia nuk mbrohet me heshtje, por me zë qytetar.
RINA AJDARI – DEPUTETE
“Mesazhi ynë për pushtetin është po aq i qartë, liria e protestës nuk është privilegj që qeveria e jep ose e merr sipas dëshirës. Ajo është e drejtë kushtetuese dhe askush nuk ka të drejtë ta kufizojë ose ta keqpërdorë. Nuk ekziston demokraci funksionale kur studentët ndalohen në kufi, kur protestat pengohen dhe kur pushteti sillet sikur zëri kritik është armik i shtetit. Grupi parlamentar “Fronti Evropian” do ta ndjekë këtë rast deri në fund — në Kuvend, para opinionit publik dhe para të gjitha institucioneve kompetente“.
Kjo nuk është hera e parë që partitë politike përplasen nën temën e protestave studentore dhe kërkesave të tyre. Edhe ditëve që lam pas pozita dhe opozita janë përplasur për politizim të protestës dhe mungesë të fuqisë politike për të ofruar zgjidhje studentëve.
Mevludin Imeri /SHENJA/