VIDEO / Rama: Së shpejti shpallet paketa e dytë mbështetëse për panelet diellore në banesa
“Kryeministër a mund të kenë lehtësira qytetarët, të cilët individualisht do të vendosin panele diellore mbi çatitë e tyre, qoftë në pallate apo në banesa?”, ka qenë kjo pyetja që Kryeministri Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet në rubrikën “Sy m’Sy”.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Kryeministri Rama thotë se sigurisht që do të ketë lehtësira teksa shton se së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët në banesë, për të cilën është i bindur se do të jetë një sukses.
“Po, sigurisht që ka dhe për këtë arsye jemi të parët në rajon për vetëprodhimin e energjisë diellore nga familjarët dhe nga bizneset. Prodhojmë 196 megavat, 4-fish e Serbisë dhe më shumë se 10-fishin e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët në banesë dhe do të jetë një sukses sepse siç ndodhi me paketaën e parë, interesi është i madh dhe u shterua i gjithë financimi 100%”, thotë Kryeministri Rama.
Gjithashtu, Kryeministri ka zgjedhur t’i përgjigjet një tjetër komentuesi në “Facebook”, i cili i shkruan: Po t’i thuash ti popullit fluturon gomari, shumë e besojnë se ju ke bërë vaksinën e partisë.
Për qytetarin, Kryeministri Rama ka thënë se kush nuk e nënvlerëson popullin shqiptar bën një gabim të madh pasi shprehet se ky popull është i drejtë në vlerësimin e punës dhe i jep secilit hakun që meriton. Rama e ka rivënë theksin sërish tek pavarësia e plotë energjetike, të cilën ka thënë se Shqipëria do e fitojë brenda pak vitesh.
“Kush e nënvlerëson këtë popull, bën një gabim të madh. Ne shqiptarët jemi si të tjerët kur bëjmë të gjithë si trajnerë futbolli, por po erdhi puna tek politika, nuk na e ha qeni shkopin. Jeta shqiptare reale nuk është e rrjeteve sociale, por e përpjekjeve të jashtëzakonshme për të ecur përpara. Përpjekja për ta kthyer Shqipërinë në një dekadë nga një vrimë të zezë në mes të Europës në sektorin e energjisë, në një vend që për pak vite fiton pavarësinë e plotë energjetike. Ngre flamurin e sovranitetit të plotë energjetik duke mbuluar 100% të nevojave me prodhim vendas duke u bërë vend neto eksportues. Populli është më i drejtë në vlerësimin e punës dhe i jep secilit hakun”, përfundon fjalën e tij Kryeministri Rama.