(VIDEO) Renata Deskoska zghidhet nënkryetare e Komisionit të Venedikut
Renata Deskoska, profesoreshë e të Drejtës Kushtetuese, ish ministre e Arsimit dhe Shkencës dhe e Drejtësisë, është zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Venedikut. Lajmin e ka konfirmuar vetë ajo përmes një statusi në facebook. Ajo shprehet e lumtur që është e para nga RMV që është zgjedhur në një post kaq të rëndësishëm, por edhe sidomos për faktin se vendi ynë nuk është ende pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo zgjedhje thotë ajo, është një njohje e aktivitetit dhe kontributit të saj në punën e komisionit, pasi deri më tani ajo ka marrë pjesë në përgatitjen e 14 opinioneve mbi vende të ndryshme, të cilat u miratuan të gjitha unanimisht në seancat plenare.
RENATA DESKOSKA, NËNKRYETARE E KOMISIONIT TË VENEDIKUT
“Sot jam zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Venedikut, i cili do të mbajë sesionin e tij të 145-të më 12 dhe 13 dhjetor në Venedik. Dje, Marta Kartabia, profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe ish Ministre e Drejtësisë e Italisë, u zgjodh kryetare e re e Komisionit të Venedikut. Sot, janë zgjedhur tre nënkryetarë të Komisionit të Venedikut: unë, Erik Holmvik nga Norvegjia dhe Timoti Oti nga Mbretëria e Bashkuar”.
Komisioni i Venedikut është një organ këshillimor i Këshillit të Evropës. Ai përbëhet nga ekspertë të pavarur në të drejtën kushtetuese dhe roli i tij kryesor është të ofrojë këshilla ligjore për shtetet anëtare dhe jo-anëtare. Komisioni u krijua në vitin 1990 për të ndihmuar vendet në tranzicion në Evropën Qendrore dhe Lindore që t’i sjellin sistemet e tyre ligjore në përputhje me standardet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Anëtarë të Komisionit të Venedikut deri më tani nga Maqedonia e Veriut kanë qenë: Gordana Siljanovska Davkova, Mirjana Llazarovska-Trajkovska, Tanja Karakamisheva-Jovanovska, Borçe Davitkovski.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/