(VIDEO) RMV dhe Shqipëria synojnë “one stop shop” në të gjitha pikat kufitare para verës
E priti me një buqetë lule dhe me protokoll solemn. Me ftesë të ministrit të Brendshëm të Maqedonisë së Veriut Pançe Toshkovski, ministrja e Brendshme e Shqipërisë Albana Koçiu qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup. Pas një takimi bilateral mes tyre, në konferencën për media ata thanë se njëra nga konkluzionet është që “One Stop Shop” të implementohet edhe me kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas Toshkovskit, synojnë që këtë ta bëjnë para nisjes së sezonit veror.
Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm i RMV-së
“Biseduam për çështje shumë të rëndësishme dhe erdhëm në konkluzione për të dyja vendet. I pari është, është që para sezonës së verës u dakorduam që ta implementojmë ‘One Stop Shop’ edhe me Republikën e Shqipërisë dhe ekipet tona punojnë intenzivisht për të gjitha përgatitjet e nevojshme të dokumentacionit të nevojshëm”.
Ministrja shqiptare theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve dhe qeverive është shumë i mirë.
Albana Koçiu, ministre e Brendshme e Shqipërisë
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy partnerë strategjik dhe janë në një miqësi të vazhdueshme së bashku, dy vende që ndajmë një hapësirë të përbashkët, të lidhura shumë më shumë ngjajshmëri se sa në dallime, si dhe dy vende kandidatë për në BE. Prandaj, kjo hapësirë që ne ndajmë sot, do të jetë një hapsirë europiane, ku mallërat, kapitali dhe njerëzit do të lëvizin pa kufizime”.
Përveç “One Stop Shop” ata njoftuan se kanë diskutuar edhe për zhvillimin edhe më shumë të Qendrës për bashkëpunim ndërkufitar si dhe shtimin e orarit të punës në pikën kufitare Xhepishtë Trebishtë.
Për të konkretizuar diskutimet që sot u bënë në Shkup, ministrja Koçiu, e ftoi Toshkovskin për siç e quajti ajo, vizitë të posaçme në Tiranë.
Ministrja e Qeverisë shqiptare u shpreh se një vit më parë në kufirin shqiptar ka pasur rreth 5 milionë kalime dhe 1.8 milionë automjete.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/