(VIDEO) Rruga Shkup – Bllacë, përfundon tenderi, së shpejti nis ndërtimi
Ka përfunduar procedura e tenderimit dhe qytetarët duhet të presin vetëm edhe disa javë derisa Qeveria të fillojë punimet për ndërtimin e 12 kilometrave të autostradës Shkup-Bllacë. Zv.ministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri tha se nuk ka arsye që as qyetarët dhe as përfaqësuesit diplomatik në vend të shqetësohen sepse si Qeveri kanë kryer edhe procesin e tenderimit dhe tani pritet vetëm faza e evaluimit të projektit nga ana e Bankës Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim
Ajo tha se një pjesë e mjeteve me të cilat ndërtohet autostrada janë grant e pjesa tjetër është kredi nga Banka Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim.
KALTRINA ZEKOLLI, ZV.MINISTRE E TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE
“Nuk ka hapësirë për shqetësim. Gjatë këtij viti kemi punuar intenzivisht që të kalohen të gjitha procedurat e tenderimit, ajo procedurë është kaluar me sukses, pas mbylljes së procedurës së tenderimit do të bëhet edhe evaluimi që është bërë nga ana jonë. Pasiqë për autostradën Shkup-Bllacë kemi një pjesë të grantit po edhe një pjesë të kredisë që merret nga Banka Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim, gjithçka tani varet prej tyre, presim sinjal pozitiv, i gjithë dokumentacioni është dorëzuar në zyrat e tyre, presim që ata ta evaluojnë dhe besoj që nuk do të ketë asnjë vërejtje nga ana e tyre”.
Ndërtimi i aksit, Shkup-Bllacë, është premtuar nga viti 2018-të, prej atëherë deri më tani kanë kaluar plot 9 vite dhe janë ndryshuar disa ministra. Se së shpejti do të fillojnë punimet u premtua edhe në vitin 2020, por në terren nga atëher deri më tani të përfunduara janë vetëm dy kilometra të cilët vazhdojnë të mos jenë në funksion.
Mevludin Imeri /SHENJA/