(VIDEO) Sela: Ndarja nga AKI u bë për të ruajtur imazhin e partisë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, mbrëmë në emisionin “Debat në SHENJA”, foli për problemesh kryesore politike, ndërsa sqaroi edhe çështjen e ndarjes së partisë së tij nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI). Sela deklaroi se ndarja ishte e domosdoshme për shkak të “lojërave” të shumta dhe për të ruajtur imazhin e pastër të Aleancës për Shqiptarët.
Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët
“Aleanca për Shqiptarët duhej të ndahej nga ky koalicion për shkak të shumë lojërave, por edhe për shkak të imazhit që ka partia. Aleanca për Shqiptarët është e pastër, pavarësisht përpjekjeve për ta futur në ‘koshin e të njësojëve’. Ne kemi pasur vetëm 45 ditë në Qeveri në vitin 2017, por brenda kësaj periudhe kemi sjellë ligjin për gjuhët, kemi vendosur kryeparlamentarin e parë shqiptar dhe kemi rrëzuar një regjim asokohe, që rezultoi edhe me anëtarësimin e vendit në NATO”.
Më tej, ai vlerësoi se takimi i liderëve politik nuk prodhoi rezultate konkrete.
Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët
“Takimi i liderëve fatkeqësisht nuk prodhoi asgjë. U krijuan liderë të ndryshëm që deklaroheshin një gjë për mediat, e një tjetër e bënin disa ditë më pas në seancë plenare. U prodhuan lojëra dhe gjëra që u trajtuan si të parëndësishme, ndërkohë që temat ishin shumë të ndjeshme”.
Sela deklaroi gjithashtu se analizat për një njësi zgjedhore duhet t’i bëjë vet Aleanca për Shqiptarët, duke theksuar se një njësi zgjedhore e vetme mund të jetë e dëmshme. “Njësia zgjedhore ka rregullin e vet, dhe se duhet të përshtatet me nevojat demografike që ka një shtet”, deklaroi ai.
Anida Murati /SHENJA/