(VIDEO) Semafori që qëndron për pesë vjet si dekor në Çair
“Për një bulevard në të cilin më shumë numëroheshin aksidentet dhe jetët e humbura sesa investimet, vendosja e një semafori u pa si zgjidhje e vetme. Kanë kaluar 5 vite nga koha kur semafori është vendosur dhe i njëjti më shumë ka shërbyer si dekor se sa ka zgjidhur problemet për të cilat edhe realisht u vendos”.
Qytetarët e anketuar nga TV Shenja të habitur pyesin se si institucioneve nuk u mjaftuan 5 vite për të ndezur dritat e semaforit. Thonë se në momentin kur ky semafor do të funksionalizohet, do të rritet edhe siguria e lëvizjes nëpër këtë rrugë.
QYTETARE
“Është e tmerrshme, se si vozisin këtu, është përmirësuar pak për shkak të vendosjes së kamerave. Veç sigurisë problem është edhe parkimi dhe bllokimi i vizëbardhave. Kur të punojë semafori edhe njerëzit do të jenë më të sigurt në lëvizjet e tyre”.
Qytetar
“Nuk e di pse nuk janë vendosur deri më tani në funksion, institucionet duhet të tregojnë, kur bazamenti është vendosur. Në këtë rrugë ka pasur edhe aksidente me pasoja vdekjeprurërëse, po do duhej të ishin funksional, do rritej siguria mendoj unë”.
QYTETARE
“Ska punu hiç, kalojmë nëpër vijat e bardha. Është rrezik megjithatë pasi kanë vendosur kamerat, është ulur shpejtësia e lëvizjes”.
Mevludin Imeri /SHENJA/
Ndonëse, sinjalistika për rregullimin e komunikacionit është nën ingerenca të Qytetit të Shkupit, TV Shenja, pyeti përgjegjësit se pse një semafor kaq i rëndësishëm nuk është vënë në funksion për 5 vite. Edhe pse na u tha se do të kemi përgjigje, deri në transmetimin e këtij lajmi, përgjigje nuk morëm.
Vendosja e semaforit në këtë lokacion aso kohe u pa si zgjidhje për parandalim të aksidenteve të shumta dhe jetëve të humbura për shkak të mungesës së sinjalistikës për rregullim të komunikacionit dhe për të parandaluar vozitjen e shpejtë në një nga bulevardet kyçe të Çairit.
Mevludin Imeri /SHENJA/