(VIDEO) Shtrenjtohet buka, kryeministri do të bisedojë me furrtarët
Pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës, ndikimi është ndjerë edhe te disa furra buke. Prej sot, çmimi i bukës është rritur nga 5 deri në 10 denarë. Lidhur me këtë çështje ka folur Kryeministri Hristijan Mickoski. Ai njoftoi se Qeveria do ta analizojë situatën me çmimin e bukës dhe do të ndërmarrë masa nëse konstatohet se bëhet fjalë për rritje të pajustifikuar, duke theksuar se në të kundërtën do të pasojnë sanksione.
MARKETING

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Po e analizojmë situatën dhe sot gjatë ditës do të kem një takim për këtë çështje. Do t’i shqyrtojmë të dhënat dhe do të shohim nëse, bazuar në ato që ata i deklarojnë, vërtet ka nevojë për një rritje të tillë. Nëse ka nevojë, atëherë do të themi se ka arsye dhe do të ndërmarrim masa, ndërsa nëse nuk ka nevojë, atëherë ndaj atyre që sillen në mënyrë devijante dhe jo sipas rregullave të tregut do të shqiptohen gjoba”.
Ndërkaq, lideri i opozitës maqedonase Venko Filipçe, ka kundërshtuar Mickoskin, duke thënë se se çmimet e produkteve bazë ushqimore dhe të karburanteve po rriten në mënyrë dramatike, ndërsa Qeveria sipas tij, nuk po ndërmerr masa. Filipçe tha se paga minimale është e pamjaftueshme për mbijetesë, ndërsa kostot e shportës së konsumit janë rritur.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Me 1.667 denarë, aq sa do të rritet paga minimale, sot mund të blihen dy kilogramë domate, dy kilogramë kastraveca, një tabëll vezës dhe katër litra benzinë. Dhe kryeministri thotë se nuk ka nevojë për masa. Nëse kjo nuk kërkon masa, atëherë ai nuk jeton në realitet. Jeton në një botë paralele, ku rëndësi kanë vetëm tenderët partiakë, fitimi, krimi dhe korrupsioni”.
Ai u ndal edhe te kriza energjetike, duke i bërë thirrje Qeverisë të bëjë një vlerësim të rezervave të karburanteve dhe të sigurojë burime të reja furnizimi, duke paralajmëruar se vendi mund të mbetet pa energjentë nëse vendoset ndalim për import. Ndërkohë, nga ana tjetër, kryeminsitri Mickoski tha se gjendja me karburantet është stabile, dhe siguron se nuk do të ketë shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.
Samir Mustafa /SHENJA/