(VIDEO) Sindikatat nesër bllokojnë Odën Ekonomike, kërkojnë rritjen e pagave
Nga rruga në rrugë, nga bllokada në bllokadë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë asesi nuk heq dorë nga kërkesat për rritjen e pagave. Pas bllokimit të Kuvendit për dy orë të martën, kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, njoftoi se nesër, do të ketë bllokadë të Odës Ekonomike, Organizatës së Punëdhënësve dhe Konfederatës së Biznesit. Bllokada do të fillojë në orën 12:00 në kryqëzimin para Odës Ekonomike. Ai tha se do të bllokojnë derisa të merret një vendim për rritjen e pagës minimale në të paktën 600 euro dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera për 6.000 denarë
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Të mos shqetësohen. Sërish do të jemi 21 përfaqësues të Sindikatës, aq sa nevojitet sipas minimumit ligjor për të dalë në rrugë dhe të bllokojmë. Para Odës Ekonomike, do të bllokojmë pronarët që kanë bllokuar punëtorët për 36 vjet. Pronarë që refuzuan të rrisin pagat e punëtorëve dhe pagën minimale deri në fund të vitit të kaluar, dhe që “ankohen” se punëtorët e kualifikuar po largohen nga Maqedonia dhe se nuk mund t’i mbajnë. Do të bllokojmë pronarët që u frikësuan nga sulmet e Qeverisë dhe partive politike”.
Trendafilovi u bëri thirrje punëtorëve të cilët nesër do të jenë në gjendje t’u bashkohen për të paktën pesë minuta sepse, siç tha, të tjerët po i numërojnë. Ai madje paralajmëroi edhe për një protestë të madhe.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Pas mbarimit të bllokadave, do të bëjmë thirrje për një protestë të madhe punëtorësh, për të cilën do të organizojmë transport nga të gjitha qytetet dhe do t’u japim një shans të gjithë punëtorëve. Protesta që do të organizohet në një ditë jo pune në mënyrë që të nxjerrim shumë më tepër se 21 persona në rrugë para se të organizojmë një grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat nëse ata vazhdojnë me qëndrimin e tyre injorues”.
Kreu i LSM-së kërkoi që MPB-ja, ministri Toshkovski dhe Prokuroria të marrin menjëherë masa kundër deputetes së VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, e cila, siç tha, “i ka publikuar fëmijët e tij të mitur në mënyrë që të gjithë të mund t’i diskreditojnë dhe në këtë mënyrë ta shantazhojnë”. Kërkoi që kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi të fillojë një procedurë për heqjen e imunitetit parlamentar të Stojanoskës.
Samir Mustafa /SHENJA/