(VIDEO) Sos Vita kërkon mbështetje më të madhe institucionale
Apel për mbështetje dhe më shumë përkujdesje institucionale për personat me aftësi të veçanta, kjo ishte porosia që erdhi sot nga Shoqata SOS Vita. Në një konferencë për media, kryetari i saj, Ertan Shakiri, kërkoi ndihmë urgjente financiare nga institucionet shtetërore, duke iu drejtuar edhe kryeministrit Hristian Mickoski dhe Komunës së Çairit. Sipas tij, mungesa e mbështetjes po pengon realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të planifikuara, përfshirë edhe hapjen e një qendre ku personat me nevoja të veçanta do të trajtoheshin pa pagesë nga profesionistë shëndetësorë dhe specialistë. Ai tha se deri më tani, shoqata nuk ka përfituar asnjë mbështetje financiare nga shteti.
Ertan Shakiri, kryetar dhe themelues i shoqatës SOS Vita
“I bëjmë thirje publike kryeministrit Hristian Mickoski që nga thellësia e zemrës nga shoqata e personave me nevoja të veçanta SOS Vita Shkup që i ka 450 anëtar që nuk dallojnë fe, nuk dallojnë komb siç ndihmojnë shoqatat të palës tjetër, le të ndihmohet edhe kjo shoqatë që është aktive që afër 7 vite. 7 vite asnjëher nuk kemi pasur mbështetje nga institucionet kompetente të shtetit dhe posaqërisht nga komunat dmth nga komuna e Çairit”.
Ai shpreson që apeli i bërë publik sot të dëgjohet nga institucionet përgjegjëse dhe të sjellë mbështetjen e nevojshme për realizimin e projekteve të planifikuara. Nga kjo shoqatë thonë se personat me aftësi të veçanta meritojnë kushte më të mira, trajtim të dinjitetshëm dhe përkrahje konkrete për një jetë më të lehtë dhe më të barabartë.
Anida Murati /SHENJA