(VIDEO) Studentët protestojnë në Tiranë, Mexhiti thotë se problemi është zgjidhur
Në shenjë mbështetjeje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, gjatë ditës së sotme do të mbahet një protestë në Tiranë. Organizatorët, Kol Marku dhe Kristian Nela, kanë bërë të ditur se tubimi do të fillojë në ora 17:00 në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas pjesëmarrësit do të marshojnë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut. Sipas tyre, protesta nuk ka prapavijë politike dhe ka për qëllim të shprehë solidaritet me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si dhe të mbrojë të drejtat dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Protesta organizohet për të treguar unitet dhe për të dërguar mesazhin se interesi kombëtar duhet të jetë mbi çdo dallim tjetër. Në protestë pritet të marrin pjesë studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë, për këtë protestë u pyet të komendoj njëri nga kryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti. Ai u shpreh se zgjidhja është gjetur dhe se studentët nuk kanë nevojë të protestojnë, por duhet të festojnë fitoren e përbashkët.
Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN-it
“Unë mendoj se nuk ka nevojë për protestë. Ne mbështesim studentët dhe për këtë jemi ulur, kemi gjet zgjidhje, por jo vetëm për jurisprudencën, por në përgjithësi për provimet profesionale që nuk janë zgjidhur 30 vite. Kemi bërë zgjidhje të cilën e kemi promovuar bashkë me partnerët në Qeveri. Kështu që studentët do t’i përgëzoj për organizimin, për protestat, për mendimin ndryshe, që i kanë nxit këto procese”.
Zëvendës kryeministri Bekim Sali ka dhënë edhe datë. Ai në një intervistë televizive ka thëë se problemi me provimin e jurisprudencës do të zgjidhet të enjten, më 28 maj.
Studentët shqiptarët kanë protestuar dy herë në Shkup, në shenjë revolte se nuk merrej parasysh kërkesa e tyre që provimin e jurisprudencës studentët shqiptarë të mund ta japin në gjuhën amtare.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
