(VIDEO) Thirrjet racist nga “Komitët”, institucionet pa përgjegjësi konkrete
Koret raciste anti-shqiptare vazhdojnë edhe më tutje të dëgjohen fuqishëm në shkallët e stadiumeve në vendin tonë. Si në rastet e mëparshme, edhe kësaj radhe në element janë tifozët e Vardarit, “Komitët”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme me një përgjigje të përgjithshme për TV SHENJA thonë se shkelje ka pasur, por nuk zbulojnë nëse autorët janë identifikuar dhe nëse ndaj ndonjë pjestari të këtij tifo-grupi është marrë ndonjë masë ndëshkuese.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Tifo grupi ‘Komitët’, përmes këngëve dhe mesazheve ka bërë nxitje të urrejtjes dhe dhunë mbi baza nacionale, ka kryer shkelje të Ligjit për Parandalimin e Dhunës dhe Sjelljes së Pahijshme në Ngjarjet Sportive. Lidhur me këtë rast, nëse konstatohen shkelje të tjera eventuale, do të ndërmerren masa përkatëse ligjore për sanksionimin e tyre.
Interesimi i TV Shenjës e ka “nevrikosur” kryesinë e FFM-së të cilët në një përgjigje të gjata të dërguara në formë të shkruar përmendin persona dhe klube që nuk kanë lidhje me televizionin. Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë periudhën e udhëheqjes së Omeragiç e krahasojnë me periudhën e udhëheqjes së Sejdinit me FFM-në. Ata thonë se nuk kanë trajtim ekskluziv për asnjë klub, tifo-grup apo lojtarë ose indivit dhe se veprojnë në përputhje me ligjet në fuqi.
FEDERATA E FUTBOLLIT TË MAQEDONISË
“Organet disiplinore vendosin në mënyrë të pavarur, profesionale dhe vetëm në përputhje me rregulloret, pa marrë parasysh marrëdhënie personale, familjare ose profesionale. Udhëheqësia aktuale, nën drejtimin e presidentit Masar Omeragiç, respekton rregulloret dhe vepron pa selektivitet, në kontrast me të kaluarën e afërt”.
Kjo nuk është hera e parë që tifo grupi “Komitët” kërkon “dhoma gazi për shqiptarët”. Të njëjtin veprim e kanë bërë edhe para syve të kryeministrit, ministrit të brendshëm dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë dhe institucional.
Mevludin Imeri /SHENJA/