(VIDEO) Tragjedia në Koçan: Familjarët kërkojnë gjetjet e obduksionit të viktimave
Disa prindër të të rinjve që ndërruan jetë në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan u takuan sot me drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov. Në deklaratë për media pas takimit, thanë se kishin marrë konfirmim se Instituti kishte kryer analiza toksikologjike, por se do të duhej të prisnin që rezultatet të prezantohen në gjyqin që po zhvillohet për këtë rast.
MARKETING

Siç deklaroi Aleksandar Naunov, babai i Nadica Naunovës, e cila vdiq natën famëkeqe, dhe i cili është kryetar i Shoqatës së Qytetarëve “16 Mars 2025 Koçani”, në takimin me drejtorin Stankov iu shpjegua atyre se Institutit nuk i lejohet të japë të dhëna mbi analizat e kryera dhe të dhëna të tjera që lidhen me pjesën e tyre të punës në këtë rast dhe se gjetjet e Institutit do të paraqiten para gjykatës në kuadër të procedurës së provave.
Sinkron: Aleksandar Naunov, Shoqata Qytetare “16 Mars 2025 Koçani”
“Ne i kërkuam mjekësisë ligjore të na zbulonte nëse ishin bërë të gjitha analizat toksikologjike për të gjithë fëmijët tanë të ndjerë. Nuk na u dha përgjigje, kështu që na u desh të vinim sepse kishim dhënë një afat prej tre ditësh. Kur erdhëm, na shpjeguan se gjithçka i ishte dhënë Prokurorisë, se ishin bërë të gjitha analizat toksikologjike dhe se duhet të presim ekspertizën në gjykatë për të dhënë detaje”.
E njejta gjë u tha edhe nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov, se gjithçka që u kërkua nga Instituti pas ngjarjes tragjike ishte përfunduar dhe se provat do të prezantoheshin publikisht gjatë seancave gjyqësore.
Sinkron: Aleksandar Stankov, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore
“Kjo është ajo që mund të them nga takimi. Mendoj se njerëzit kuptuan disa gjëra, e kuptuan se cila është puna jonë, sa mund të bëjmë dhe çfarë mund të bëhet, dhe u është e qartë atyre se gjithçka do të jetë publike gjatë procedurave gjyqësore”.
Prindërit e të rinjëve që ndërruan jetë në zjarrin në në të ashtuquajturën kabare “Puls” në “Marshimin e fundit për Engjëjt” të mbajtur të shtunën më 4 prill në Koçan, u kanë bërë thirrje edhe një herë institucioneve kompetente të japin përgjigje për pyetjet, të cilat, sipas tyre, u janë fshehur për më shumë se një vit, dhe të cilat lidhen me shkaqet e vdekjes së fëmijëve të tyre. Nëse institucionet nuk do të përgjigjeshin për tre ditë, do të shkonin ata në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për t’i marrë përgjigjet.
Në gjykimin kryesor për këtë rast, janë të akuzuar 35 persona fizik dhe 3 juridik.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/