(VIDEO) VLEN, BDI dhe ASH reagojnë ndaj deklaratës së kryetarit të Kushtetueses
Kanë vazhduar edhe sot reagimet kundër deklaratave skandaloze të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili tha se në projektit “Safe City”, porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën angleze, por jo edhe atë në gjuhën shqipe.
Nga koalicionin VLEN, që janë pjesë e qeverisë, theksojnë se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese, më shumë i ngjan një elite politike jugosllave sesa instancës më të lartë gjyqësore në vend. Sipas tyre, VLEN mbetet i palëkundur në qëndrimin se kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes këtij sistemi, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe.
VLEN
“Përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë themelore e njeriut dhe një nga vlerat themelore të Kushtetutës. Institucionet shtetërore kanë detyrimin ta garantojnë të drejtën e çdo qytetari që të informohet në gjuhën e tij amtare, përfshirë edhe për detyrimet që i lindin si pasojë e veprimeve apo sjelljes së tij”.
E, nga Bashkimi Demokratik për Integrim vlerësojnë se deklaratat e fundit nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk janë një incident i izoluar, por pasojë e drejtpërdrejtë e një klime politike që është krijuar në vend. Në reagimin e tyre, nuk mungojnë kritikat as edhe për koalicion VLEN.
BDI
“Kur në qeveri ke një përfaqësim të dobët, të kapur dhe të nënshtruar si VLEN, atëherë forcat antishqiptare ndihen të inkurajuara dhe të fuqizuara. Sot po shohim deklarata dhe veprime që më parë as nuk guxonin të artikuloheshin publikisht”.
Reagim ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka bërë edhe Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Si parti politike dënojmë ashpër edhe deklaratat e kreut të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe dhe të drejtat e qytetarëve të cilat shkelen me projektin ‘Safe City’, që më shumë tingllonin si opinione personale sesa si interpretime kushtetuese e juridike”.
Nga partia e Selës gjithashtu kanë komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuse në lidhje me projektin “Safe City”. Sipas tyre, vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese është vetëm edhe një dëshmi shtesë, pas shumë rasteve të ngjashme të mbivotimit etnik dhe vendimeve të padrejta të cilat sillen sipas vullnetit personal të shumicës së gjykatësve maqedonas, e që majorizojnë shqiptarët dhe të gjitha bashkësitë e tjera etnike në vend. Ata theksojnë se ky rast vetëm se konfirmoi nevojën urgjente për vendosjen e parimit të Badenterit gjatë votimit të ligjeve që sillen me Badenter në Kuvend, ose ligjeve dhe dispozitave të tjera që prekin të drejtat dhe barazinë e bashkësive etnike në vend.
Samir Mustafa /SHENJA/