(VIDEO) VLEN: Izet Mexhiti është emër që i shkakton dhimbje BDI-së
Janë rishfaqur përplasjet deklarative ndërmjet nënkryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Bujar Osmani dhe ish nënkryetarit të kësaj partie, tani më njëri ndër liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ndonëse tash nën petkun e partisë. Ata debatin e kanë shndërruar në emra të përveçëm. BDI akuzon Mexhitin se siç thonë, për më shumë se 20 vjet, ai dhe grupi i tij e kanë uzurpuar përfaqësimin e shqiptarëve në Shkup dhe se sipas tyre, ka shkatërruar të ardhmen një gjenerate të tërë të të rinjve të kryeqytetit.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Promotori i nepotizmit brutal, nuk përfaqëson shqiptarët. Izet Mexhiti, politikani që u bë milioner duke e varfëruar Çairin, sot mundohet të shitet si ndryshim, por qytetarët e dinë të vërtetën: Struktura e tij politike funksionon me të njëjtën logjikë si klanet mafioze, besnikëri familjare, interesa personale dhe kontroll përmes njerëzve të tij të afërt. Promotori i nepotizmit brutal, nuk përfaqëson shqiptarët”.
Ndërkaq, në të njejtën mënyrë u janë përgjigjur edhe nga koalicioni VLEN, të cilët deklarojnë se Izet Mexhiti është emër që i shkakton dhimbje BDI-së, sepse sipas tyre, bashkë me popullin i kanë dërguar në opozitë.
Për disa ish funksionar të BDI-së, që nga VLEN i quajnë “karrigexhinjtë” dhe rrinë afër Ali Ahmetit, theksojnë se e kanë privatizuar partinë.
VLEN
“Le ta mbajnë mend mirë: Izet Mexhiti nuk është produkt zyrash dhe përkëdheljeve të Ali Ahmetit. Ai ka mandat nga shqiptarët, si kryetar komune dhe deputet. Me votë, me terren, me njerëz. Jo si Bujar Osmani, Blerim Bexheti, Fatmir Besimi dhe klika e BDI-së, që politikën e kanë kuptuar vetëm si ngjitje për karrige, tender dhe rehati personale. Dallimi është i madh. Izeti ka qenë në mëhallë me qytetarin, ndërsa ata në zyra ekzekutivi dhe pazare pushteti”.
Duke llogaritur me ditë se sa kanë udhëqur me dikastere derisa ata ishin në pushtet, nga VLEN kanë përsëritur se Bujar Osmani mbi 3.700 ditë ministër dhe Blerim Bexheti mbi 5.500 ditë në poste dhe ende flasin për “mbrojtje të shqiptarëve”. BDI-ja, sipas VLEN-it, shqiptarin e ka parë vetëm si numër për votë, ndërsa postet si trashëgimi familjare.
Samir Mustafa /SHENJA/