Viktima e tretë nga ethet e Nilit Perëndimor, pacienti më i ri i shtruar është 25 vjeç
Gjatë fundjavës ka ndërruar jetë një pacient i infektuar me ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar në tre numrin e përgjithshëm të viktimave nga kjo sëmundje në vend. Derisa ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar 35 raste me ethe të Nilit Perëndimor, ndërsa gjashtë pacientë të tjerë ndodhen në gjendje kritike dhe janë të vendosur në repartin e kujdesit intensiv.
Klekovski shtoi se nga rastet e konfirmuara, shumica janë të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa një pacient po trajtohet në një institucion privat shëndetësor.
Ministri shtoi se deri më tani janë regjistruar tre viktima nga ky virus, ndërsa 15 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar nga Klinika për Sëmundje Infektive.
Ai theksoi se aktualisht zona më e prekur në Evropë nga ethet e Nilit Perëndimor është Athina. Sipas tij, në Greqi deri më tani janë regjistruar 81 raste me formë neuroinvazive të sëmundjes dhe nëntë persona kanë humbur jetën. Raste tashmë janë evidentuar edhe në zonat kufitare me Maqedoninë e Veriut.
“Kapacitetet diagnostikuese shëndetësore janë ngritur në nivelin maksimal. Nëse në vitet e kaluara kryheshin rreth 40 analiza në vit, tani po realizohen nga katër deri në tetë analiza në ditë. Kujtoj se për konfirmimin përfundimtar të diagnozës nevojiten dy teste të pavarura”, tha Klekovski.
Ai shtoi se tashmë janë informuar të gjithë mjekët që mund të vijnë në kontakt me pacientë të dyshuar.
“Janë njoftuar të gjitha repartet e sëmundjeve infektive, mjekët amë, Klinika e Neurologjisë, si dhe neurologët në përgjithësi. Kështu, sistemi është në gatishmëri për njohjen dhe diagnostikimin e sëmundjes dhe kapacitetet për diagnostikim janë të disponueshme”, theksoi Klekovski.
