
Viktima po kthehej nga puna, dorasi po e përcillte, të gjitha detajet e reja mbi ngjarjen
Raportohet se gruaja që u vra në fshatin Stanovc të Vushtrrisë, Nexhmie Haradini ishte nën përcjelljen e dorasit, Arsim Morinës. Motivet e vrasjes së një nënë te tre fëmijëve janë tejet banale. Familjarët dyshojnë se ajo u vra nga pronari i ish- furrës ku kishte punuar për rreth 5 vite për arsye se kishte “lënë punën”dhe kishte nisur punën e re përball një furrë tjetër aty afër.
Në momentin e vrasjes, burimet e Insajderit brenda familjes Haradini, rrëfejnë se 42 vjeçarja ka qenë duke u kthyer në shtëpi nga puna.
Familjarët dyshojnë se viktima është përcjell nga dorasi, nga momenti kur e ka lënë punën e re dhe është nisur për shtëpi.
Pasi ka përfunduar orarin e punës, Nexhmie Haradini ka hypur në një kombi nga Millosheva për të shkuar në shtëpinë e saj në Stanovc.
Ajo ka zbritë nga kombi së bashku me dy kushërira të saja. Më pas, sipas burimit, e ndjera ka përdorur nënkalimin për të kaluar rrugën. Në anën tjetër të nënkalimit i ka dalë në pritë, Arsim Morina.