
Vjosa Osmani, deklaratë më dinjitoze se Tirana për Gazën
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se fëmijët nuk i fillojnë kurrë luftërat, por se ata janë ata që vuajnë më shumë dhe mbajnë pasojat më të mëdha të çdo konflikti.
“Katastrofa humanitare në Gaza dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve, janë zemërthyes dhe duhet të ndalen. Çdo fëmijë, çdo familje, pavarësisht kombësisë apo fesë, janë të çmuara dhe duhet të mbrohen”, tha Osmani në rrjetin X.
Ajo theksoi mbështetjen e plotë për përpjekjet për të arritur një armëpushim të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, duke përfshirë iniciativat për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.
“Ndërkohë, përparësia duhet të jetë sigurimi i aksesit në ushqim, ujë dhe ilaçe për më të prekshmit, në mënyrë që të lehtësohen vuajtjet e të pafajshmëve në luftë”, theksoi presidentja e Kosovës.
Ajo shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur një të ardhme të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore, në të cilën izraelitët dhe palestinezët do të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me një angazhim të përbashkët për të mbrojtur jetën njerëzore.
“Derisa të realizohet një e ardhme e tillë, ne duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme dhe për të lehtësuar vuajtjet e të gjithë njerëzve”, përfundoi Osmani.
Siç mund të vërehet, gruaja që drejton presidencën kosovare i është shmangur të “drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje”, kësaj teze spekullante, si dhe Hamasit si “terrorist”, duke i dhënë kësisoj sadopak dinjitet qëndrimit të saj mbi Gazën. Një qëndrim i tillë, nga Tirana zyrtare është ende nuk haset. Sado që të kërkojë një shtet palestinez krahas atij izraelit, politika shqiptare nuk pranon që t’i cenohet aspak shteti sionist nga Hamasi “terrorist”, si te ishte ai shtet pjellë e tij. /tesheshi.com/