
VLEN: 38 shqiptarë punësohen në librat amë, ky hov i punësimeve nuk ndalet dot!
Koalicioni VLEN tha se 38 shqiptarë kanë filluar punën në librat amë, që siç thotë VLEN, është një hap i rëndësishëm drejt barazisë, përfaqësimit të dinjitetshëm dhe integrimit real institucional të shqiptarëve në vend. VLEN thotë se po realizohet një transformim rrënjësor në këtë sektor dhe shtoi se janë në procedurë të avancuar edhe hapja e zyrave të reja për librat amë në komunat si Çashkë, Bërvenicë, Krushevë, Jegunovcë, Bogovinë dhe Dobridoll.
“Si subjekt që VLEN, me kënaqësi dhe krenari njoftojmë opinionin publik se, për herë të parë pas shumë dekadash, 38 shqiptarë kanë nisur punë në sektorin e librave amë i cili është një hap i madh drejt barazisë, përfaqësimit të dinjitetshëm dhe integrimit real institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Punësimet e qytetarëve tanë tashmë kanë filluar, ky hov nuk ndalet dot. Bllokadat e sponsorizuara nga BDI përmes Taravarit morën fund. Tani çdo ditë e më shumë rritet numri i shqiptarëve që po punësohen në institucione të shumta. Po me këtë ritëm do të vazhdojmë akoma. Ne punësojmë sepse qytetarët tanë janë të aftë për të punuar. Punësimet tona nuk bëhen me kushtëzime e mito, por mbi bazën e meritës dhe parimit që njeriu i duhur në vendin e duhur.
Prandaj, veçojmë rastin që nën udhëheqjen profesionale të Faton Fazliut, po realizohet një transformim rrënjësor në këtë sektor vital për qytetarët. Janë në procedurë të avancuar edhe hapja e zyreve të reja për librat amë në komunat si Çashkë, Bërvenicë, Krushevë, Jegunovcë, Bogovinë dhe Dobridoll, zona këto që për vite të tëra ishin tërësisht të përjashtuara nga shërbimet shtetërore.
Kjo nuk është vetëm një politikë kadrovike, por një akt emancipues, një kthesë historike dhe një dëshmi konkrete se VLEN jo vetëm premton, por vepron. Jemi duke ndërtuar një administratë gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar trajtohet me dinjitet, dhe ku shqiptarët nuk janë më vetëm shikues, por pjesëmarrës aktivë dhe kontribues të shtetit.
Kjo është rilindje institucionale në praktikë. Ky është VLEN, zëri i dinjitetit, veprimit dhe ndryshimit”, thotë VLEN.